Udhëheqësi i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, Jiri Plecity, tha se Kosova ka qenë ndër përfitueset e para në Ballkanin Perëndimor që ka përgatitur një agjendë reformuese të vlerësuar pozitivisht nga Brukseli, raporton Ekonomia Online.
Këto komente Plecity i bëri në takimin e parë të Komitetit Monitorues BE – Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje.
Ai, tha se tani është koha që Kosova të dyfishojë përpjekjet për zbatimin e këtyre reformave.
“Tani, pothuajse dy vjet më parë – edhe kjo tashmë janë bërë dy vjet – po e shikoja me kolegun tim, dy vjet më parë agjenda reformuese e Kosovës vendosi një kornizë të shëndoshë, gjithëpërfshirëse dhe konsistente për të avancuar në këtë rrugë evropiane përmes reformave. Më kujtohet se Kosova ishte në fakt ndër vendet e para përfituese në Ballkanin Perëndimor që përgatiti një agjendë reformuese e cila u prit shumë mirë. Prandaj, tani është vërtet koha që Kosova të dyfishojë përpjekjet për zbatimin e këtyre reformave dhe jam shumë i kënaqur që kam dëgjuar për të gjitha përpjekjet që tashmë keni ndërmarrë për ta dinamizuar, për ta bërë sistemin më të përgjegjshëm dhe më të përgatitur për zbatimin e këtyre reformave”, tha ai.
Plecity theksoi se përparimi në reformën në drejtësi, forcimi i të drejtave themelore dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar mbeten prioritete kyçe.
“Më lejoni të theksoj vetëm disa prej tyre, për të mos mbetur shumë abstrakt, megjithëse gjatë diskutimeve të sotme do t’i trajtojmë këto çështje në hollësi. Së pari, do të doja të theksoja se përparimi i shpejtë në reformën në drejtësi është thelbësor, po ashtu edhe forcimi i të drejtave themelore dhe përmirësimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ai.
Ai veçoi edhe rëndësinë e reformave në sektorin e energjisë.
“Po ashtu, miratimi i ligjeve të reja për energjinë dhe energjinë elektrike, së bashku me ligjin për rregullatorin e energjisë, mbetet një prioritet kritik. Këto masa nuk janë vetëm reforma thelbësore në kuadër të agjendës reformuese, me periudha kalimtare që skadojnë tashmë në qershor dhe dhjetor 2026, por ato janë gjithashtu çelësi për forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës”, tha ai.
Plecity përmendi gjithashtu mundësitë që ofron Plani i Rritjes, përfshirë integrimin në Zona e Vetme Evropiane e Pagesave (SEPA), zgjerimin e sistemit “Roam Like at Home” dhe përfitimet nga Tregu i Përbashkët Rajonal.
“Dhe më lejoni gjithashtu të kujtoj mundësitë e rëndësishme që mund të shfrytëzohen në kuadër të shtyllave të para dhe të dyta të Planit të Rritjes. Konkretisht, mundësi të tilla si Zona e Vetme Evropiane e Pagesave (SEPA), apo përparimi i fundit drejt shtrirjes së sistemit ‘Roam Like at Home’ edhe në Kosovë, pa harruar të gjitha mundësitë në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal”, tha ai.
Sipas tij, Kosova mund të përfitojë deri në 880 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, por kjo varet nga përmbushja e reformave të dakorduara.
“Tani, në kuadër të RGF-së, Kosova ka të drejtë të përfitojë deri në 880 milionë euro në total. Natyrisht, kjo kushtëzohet nga përmbushja e hapave të agjendës reformuese dhe nga përmbushja e vazhdueshme e kushteve të përgjithshme dhe parakushteve për pagesa. Për të qenë në gjendje t’i shfrytëzojë këto burime, Kosova tani duhet urgjentisht të përshpejtojë zbatimin e reformave për të përfituar nga këto investime të konsiderueshme në zhvillimin social dhe ekonomik dhe të shmangë humbjen e mbështetjes për ato hapa reformues që do të përballen shumë shpejt me afatet e tyre, përkatësisht me përfundimin e periudhave kalimtare”, tha ai.

