Nagavci: Sulmet ndaj Dejona Mihalit tregojnë mentalitetin e atyre që nuk e pranojnë gruan si zë të barabartë

Prishtinë | 17 Qer 2026 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj kritikave dhe sulmeve ndaj zyrtares së LVV-së, Dejona Mihali, duke thënë se ato përbëjnë një problem më të thellë sesa vetëm një përplasje politike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nagavci ka deklaruar se sulmet ndaj grave në politikë shpesh shoqërohen me gjuhë fyese dhe shpifje, të cilat, sipas saj, lidhen me mentalitetin ndaj rolit të gruas në jetën publike.

“Kur një grua sulmohet me shpifje, fyerje dhe gjuhë çnjerëzore vetëm pse është aktive në politikë, problemi nuk është vetëm politik. Problemi është shumë më i thellë”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka thënë se sulmet ndaj Mihalit nuk kanë të bëjnë vetëm me të, por me qasjen e atyre që, sipas saj, nuk e pranojnë barazinë e grave në politikë.

“Sulmet ndaj Dejona Mihalit nuk flasin për të. Flasin për mentalitetin e atyre që ende nuk e pranojnë gruan si zë të barabartë në jetën publike. Kur sulmohet një grua, madje edhe familja e saj, jo me argumente por me linçim e dehumanizim, kemi të bëjmë me një krizë qytetarie”, ka deklaruar ajo.

Nagavci ka kritikuar edhe partitë opozitare, duke pretenduar se ato bashkohen më lehtë në kritika ndaj një gruaje të angazhuar politikisht.

“Nuk është hera e parë që shohim një front të përbashkët kundër saj. Si gjithmonë, edhe kësaj radhe, PDK-ja, LDK-ja dhe zëra të tjerë të opozitës duket se gjejnë më lehtë gjuhën e përbashkët kur bëhet fjalë për sulme ndaj një gruaje të angazhuar politikisht sesa kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka shprehur shqetësim edhe për, siç e ka quajtur, heshtjen e institucioneve dhe organizatave që merren me të drejtat e grave.

“Edhe më shqetësuese se sulmet është heshtja. Heshtja e atyre që çdo ditë flasin për të drejtat e grave. Heshtja e institucioneve, e organizatave dhe e shumë zërave publikë”, ka theksuar ajo.

Sipas Nagavcit, mënyra se si një shoqëri reagon ndaj rasteve të padrejtësisë tregon nivelin e saj të qytetarisë.

“Një shoqëri matet jo nga mënyra si i trajton të fortët, por nga mënyra si reagon kur dikush bëhet objekt i padrejtësisë. Dhe në këtë rast, heshtja po flet po aq sa sulmet”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Nagavci ka thënë se këto sulme, sipas saj, nuk do ta ndalin angazhimin politik për të vazhduar përpjekjet për drejtësi dhe përfaqësim publik.

“Për ne, këto sulme nuk janë arsye për t’u tërhequr; përkundrazi, janë motiv shtesë për të vazhduar edhe më me vendosmëri angazhimin për të vërtetën, drejtësinë dhe përfaqësimin dinjitoz në jetën publike”, ka shtuar Nagavci.

Të ngjashme