Haradinaj tregon cilat do të ishin përfitimet nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”

Prishtinë | 17 Qer 2026 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka prezantuar përfitimet e detajuara që do t’i sillte për vendin realizimi i projektit energjetik “TC Kosova e Re”, një nga projektet më të mëdha strategjike të planifikuara në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas të dhënave të paraqitura, projekti i Termocentralit Kosova e Re nuk përfaqësonte vetëm një investim energjetik, por një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike, ekonominë dhe shfrytëzimin e resurseve vendore të vendit.

Me një kapacitet të instaluar prej rreth 500 MW dhe kapacitet neto prej rreth 450 MW, termocentrali parashihej të prodhonte rreth 3.35 TWh energji elektrike në vit, duke mbuluar deri në 40–50% të konsumit aktual të Kosovës dhe rreth 28% të ngarkesës maksimale të sistemit elektroenergjetik.

Projekti, do të kishte ndikim afatgjatë në stabilitetin energjetik të vendit, duke reduktuar ndjeshëm nevojën për import të energjisë elektrike dhe duke krijuar kursime të konsiderueshme për buxhetin e Kosovës.

Në aspektin ekonomik, investimi i përgjithshëm do të arrinte rreth 1.3 miliardë euro, ndërsa gjatë fazës së ndërtimit do të krijoheshin deri në 10,000 vende pune direkte, indirekte dhe të induktuara.

Në aspektin e resurseve vendore, projekti parashihej të shfrytëzonte rreth 12–15% të rezervave të linjitit në Fushën e Kosovës, duke siguruar furnizim afatgjatë për një periudhë 30-vjeçare operimi.

Po ashtu, TC Kosova e Re do të kishte ndikim në modernizimin e sektorit energjetik, me teknologji më efikase që do të reduktonte ndjeshëm emetimet e ndotësve krahasuar me termocentralet ekzistuese, si dhe do të mundësonte furnizim me energji termike për ngrohje qendrore në Prishtinë dhe rrethinë.

Haradinaj theksoi se projekti do të kishte ulur varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike, i cili në vitet e fundit ka arritur në qindra milionë euro në kosto për vendin.

Ky projekt, sipas tij, ishte nisur gjatë mandatit të qeverisë së tij, ndërsa më pas ishte ndërprerë pas ndryshimit të qeverisë dhe ardhjes në pushtet të Albin Kurtit.

Në përfundim, Haradinaj vlerëson se TC Kosova e Re do të kishte përfaqësuar një nga investimet më të rëndësishme strategjike në historinë e Kosovës, me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe pavarësinë energjetike të vendit.

Të ngjashme