Me vendimin e fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, UBT është akredituar me programe të reja studimi. Përveç 150 programeve dhe specializimeve në fusha të ndryshme, risitë e këtij viti përfshijnë programet Fintech dhe Analitika e Biznesit, Fintech dhe Menaxhim i Inovacionit, Estetikë dhe Kozmetologji, Inxhinieri e Mjedisit dhe Infrastrukturë e Qëndrueshme, si dhe Inxhinieri Mekanike, me orientime të fokusuara në teknologjitë që po transformojnë industrinë globale.
Programi i ri i Inxhinierisë Mekanike është konceptuar për t’i përgatitur studentët për profesionet e së ardhmes, duke përfshirë fusha si Inxhinieria e Dizajnit dhe Prodhimit, automatizimi industrial, inxhinieria e automjeteve, inxhinieria hapësinore, teknologjitë e dronëve, robotikë dhe sistemet inteligjente të prodhimit.
Një ndër programet më inovative është Fintech dhe Analitika e Biznesit, i cili ndërthur financat, teknologjinë, inteligjencën artificiale dhe analizën e të dhënave. Industria Fintech konsiderohet sot një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në botë, ndërsa ekspertët e kësaj fushe janë ndër profesionistët më të kërkuar nga bankat, institucionet financiare, kompanitë teknologjike dhe startup-et inovative.
Në kuadër të studimeve master, UBT ka akredituar edhe programin Fintech dhe Menaxhim i Inovacionit, i cili synon të përgatisë liderë dhe ekspertë të aftë për të menaxhuar transformimin digjital, inovacionin dhe zhvillimin e teknologjive financiare në tregun global.
Po ashtu, UBT sjell për herë të parë programin Estetikë dhe Kozmetologji, i cili vjen si përgjigje ndaj zhvillimit të hovshëm të industrisë së bukurisë, mirëqenies dhe kujdesit estetik. Programi kombinon njohuritë shkencore nga fushat e shëndetit, dermatologjisë, kozmetologjisë dhe teknologjive moderne estetike, duke përgatitur profesionistë të kualifikuar për një treg që po shënon rritje të vazhdueshme në nivel global.
Në nivelin bachelor, UBT ka akredituar edhe programin Inxhinieri e Mjedisit dhe Infrastrukturë e Qëndrueshme, i cili fokusohet në zhvillimin e zgjidhjeve moderne për mbrojtjen e mjedisit, planifikimin urban, menaxhimin e resurseve natyrore dhe ndërtimin e infrastrukturës së qëndrueshme, në përputhje me standardet evropiane dhe sfidat globale klimatike.
Të gjitha programet e reja janë ndërtuar mbi ekosistemin unik të UBT-së, i cili përfshin laboratorë të avancuar, qendra inovacioni, platforma digjitale, projekte kërkimore-shkencore, bashkëpunime të ngushta me industrinë dhe mbi 500 partneritete ndërkombëtare. Ky ekosistem u mundëson studentëve të kombinojnë njohuritë teorike me përvojën praktike dhe të përgatiten për sfidat reale të profesionit.
Akreditimet e reja përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe në përgatitjen e kuadrove që do të udhëheqin ekonominë, teknologjinë dhe industrinë e së ardhmes.