Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 83-vjetorit të lindjes së veprimtarit dhe intelektualit shqiptar, Ukshin Hoti, ku është vizituar Ekspozita Digjitale “DheShkronjë” në Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti bëri të ditur se ekspozita është përgatitur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur me mbështetjen e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
“Në 83-vjetorin e lindjes së Profesor Ukshin Hotit, në Amfiteatrin e Shtëpisë Muze në Krushë të Madhe, vizituam Ekspozitën Digjitale ‘DheShkronjë’, të përgatitur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, me përkrahjen e Muzeut Kombëtar të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, ekspozita paraqet jetën dhe veprën e Ukshin Hotit përmes një forme bashkëkohore të rrëfimit dhe kujtesës, duke lidhur vendlindjen, angazhimin politik dhe intelektual, si dhe hapësirat ku sot nderohet figura e tij.
“Përmes një forme bashkëkohore të rrëfimit dhe kujtesës, Ekspozita Digjitale krijon një hartë të veçantë të jetës, veprës dhe trashëgimisë së filozofit, politikanit dhe veprimtarit, Prof. Ukshin Hoti, duke ndërlidhur kështu vendlindjen, rrugëtimin e tij jetësor, hapësirat e angazhimit politik e intelektual si dhe vendet ku sot nderohet emri dhe vepra e tij”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka vlerësuar se figura e Ukshin Hotit vazhdon të jetojë përmes ideve dhe veprës së tij.
“Prof. Ukshin Hoti nuk kufizohet në një vend fizik a periudhë të caktuar kohore, por shtrihet kudo ku jetojnë mendimi, vepra dhe ideali i tij për liri”, ka deklaruar Kurti.