Dita e Shërbyesve Civilë, SPAK: Shërbyesit civilë të zhgënjyer me pagat dhe kushtet e punës

Prishtinë | 23 Qer 2026 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Shërbyesit civilë në Kosovë vazhdojnë të përballen me paga jo dinjitoze, mungesë të sigurimeve shëndetësore dhe moszbatim të ligjit për sigurinë në punë, tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK), Ali Gashi, në Ditën Ndërkombëtare të Shërbyesve Civilë, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se, pavarësisht rolit të rëndësishëm që ka shërbimi civil në ruajtjen e memories institucionale, kërkesat e vazhdueshme të punonjësve nuk janë trajtuar nga institucionet.

“Fatkeqësisht që edhe këtë vit, shërbyesit civilë pothuajse vazhdojnë të jenë në gjendje jo të mirë pune, me kushte pothuajse të njëjta, mbase dhe pak të rënduara, me paga jo dinjitoze pasi që, siç e dini, nuk janë rritur pagat fatkeqësisht dhe shumë problematika të tjera duke marrë parasysh që edhe sot kur flasim nuk kemi zbatim të ligjit mbi sigurimin në punë, nuk i kemi sigurimet shëndetësore edhe pse është miratuar, por mënyra se si do të gjendet forma për t’u zbatuar lë për të dëshiruar duke u nisur nga përvojat e mëhershme për arsye se ne prej 2014-ës s’kemi pasur ligjin për sigurime shëndetësore. Pastaj janë edhe mori të tjera problematika që kanë përcjellë shërbimin civil e që realisht edhe pse konsiderohet një prej shtyllave më vitale dhe më jetike që ruan memorien institucionale, kjo qeveri nuk ka treguar interes për kërkesat e tyre edhe pse ne ua kemi drejtuar dhe kemi ngritur vazhdimësi”, tha ai.

Sipas Gashit, moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave ka dëmtuar shërbyesit civilë dhe zyrtarët publikë.

“Po nuk është e mirë për arsye se ju siç e dini nga 2024-ta derisa flasim Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as Parlamenti i Kosovës nuk e ka bërë plotësim-ndryshimin e Ligjit të Pagave ashtu siç është obligativ, ashtu siç e ka thënë de fakto Gjykata Kushtetuese, që ne në njëfarë forme mund të themi që shërbimi civil dhe zyrtarët publikë janë të dëmtuar në aspektin e pagave dhe beneficioneve të tjera. Pastaj janë edhe kushtet e tjera. Është fakt që kemi pasur një situatë ose një turbulencë institucionale, por them të drejtën beneficionet e qeverisë dhe beneficionet e deputetëve nuk kanë ndalur, nuk ka shkuar pengesë që t’i gëzojnë dhe t’i avancojnë”, tha ai.

Ai tha se inflacioni dhe kushtet ekonomike kanë ndikuar në rritjen e pakënaqësisë dhe largimin e kuadrove nga administrata publike.

“Kurse sa i përket çështjes së të drejtave të punës, kushteve të punës, por edhe pagave duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike dhe inflacionin e madh, them të drejtën kjo nuk është bërë asgjë për shërbimin civil dhe shërbyesit civilë them të drejtën janë jashtëzakonisht shumë të zhgënjyer. Po ka largime, po më e keqja ka shumë, mos me thënë që interesimi për t’u punësuar në shërbimin civil është jashtëzakonisht shumë i vogël me theks të veçantë te pozitat deficitare për arsye sepse pagat të cilat i ofron sektori publik dhe pagat që i ofron sektori privat janë diametralisht të largëta”, tha ai.

Gashi kërkoi rritjen e vlerës së koeficientit për 50 për qind, zbatimin e sigurimeve shëndetësore dhe nënshkrimin e marrëveshjes kolektive.

“Po së pari unë kërkoj dhe në vazhdimësi kemi drejtuar edhe shkresa zyrtare që të rritet vlera e koeficientit. Vlera e koeficientit ende është 110 euro dhe unë kërkoj që kjo rritje të bëhet sipas bashkëbisedimit me neve, sipas kërkesave të punëtorëve dhe duke marrë parasysh edhe gjendjen dhe inflacionin që ka ndodhur. Kërkesa jonë ka qenë që vlera e koeficientit të rritet për 50 për qind të vlerës aktuale. Dhe ne insistojmë, insistojmë për faktin sepse mosrritja për një kohë të gjatë ka ndikuar. Pastaj është problemi që kemi rritje të energjisë, kemi rritje të çmimeve të produkteve bazike, inflacionin e madh e ato me radhë. Pastaj është problemi që urgjentisht të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit të Pagave ashtu siç e ka thënë Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Fillimi sa më parë i Ligjit mbi Sigurimin Shëndetësor. Aplikimi dhe fillimi i implementimit të Ligjit për Sigurinë në Punë. Të avancohet dhe të shikohet mundësia që kushtet e punës të trajtohen me prioritet të lartë”, tha ai.

Ai shtoi se Kosova mbetet vendi i vetëm pa marrëveshje kolektive dhe kërkoi rifunksionalizimin e Këshillit Ekonomiko-Social.

“Si dhe nënshkrimi i marrëveshjes kolektive që jemi vendi i fundit ose më thënë i vetmi që nuk kemi marrëveshje kolektive dhe kërkesë e vazhdueshme ka qenë që të bëhet rifunksionalizimi i Këshillit Ekonomiko-Social si mekanizëm ku na shërben që të gjitha këto t’i diskutojmë bashkërisht ne, qeveria dhe përfaqësuesit e sektorit privat. Kishte me qenë mirë dhe unë dua me besuar që është hera e fundit që të merremi ne me të njëjtat probleme sepse thjesht kërkesat tona që i prezantova këtu janë kërkesa pothuajse të të gjithë zyrtarëve publikë dhe ne me vitet e tëra jemi kah i promovojmë, jemi kah i kërkojmë dhe absolutisht nuk janë marrë për bazë nga qeveria”, tha ai.

23 Qershori shënon Ditën Ndërkombëtare të Shërbyesve Civilë, e cila i kushtohet vlerësimit të rolit dhe kontributit të shërbyesve publikë në zhvillimin e shoqërisë dhe forcimin e institucioneve shtetërore.

Dita e Shërbyesve Civilë, në botë ka filluar të shënohet me vendim nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2002, kur kjo ditë është caktuar si datë tradicionale për shënimin e Ditës së Kombeve të Bashkuara për Shërbyesit.

Të ngjashme