FIFA refuzon kërkesën e Francës

Prishtinë | 27 Qer 2026 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

FIFA ka refuzuar një kërkesë të Federatës Franceze të Futbollit para ndeshjes së Kupës së Botës mes Francës dhe Norvegjisë, duke mos lejuar futbollistët francezë të mbanin shirita të zinj në krah në shenjë respekti për nënën e ndjerë të trajnerit Didier Deschamps.

Franca e mbylli fazën e grupeve me një fitore bindëse 4-1 ndaj Norvegjisë, duke siguruar vendin e parë në grup. Megjithatë, para ndeshjes, vëmendja ishte te mungesa e Deschamps, i cili kishte lënë grumbullimin e kombëtares për të qenë pranë familjes pas ndarjes nga jeta të nënës së tij.

Federata Franceze kërkoi nga FIFA leje që lojtarët të zbrisnin në fushë me shirita të zinj në krah, por kërkesa u refuzua.

Sipas The Athletic, fillimisht ishte planifikuar të mbahej një minutë heshtje, por më vonë u sqarua se ceremonia ishte organizuar paraprakisht në nderim të viktimave të tërmetit në Venezuelë. Për këtë arsye, Franca kërkoi të paktën të lejohej të mbante shirita zie, por edhe kjo kërkesë nuk u pranua nga FIFA.

Në fushë, Franca nuk hasi vështirësi. Ousmane Dembélé ishte protagonisti absolut, duke realizuar një hat-trick brenda 32 minutave të para të ndeshjes.

Norvegjia ngushtoi përkohësisht rezultatin në 2-1 me golin e Thelo Aasgaard, ndërsa pati mundësinë të rikthehej plotësisht në lojë në minutën e 50-të, kur Theo Hernandez shkaktoi penallti ndaj Oscar Bobb. Megjithatë, Mike Maignan priti goditjen e Jørgen Strand Larsen dhe ruajti epërsinë e francezëve.

Në minutat shtesë të pjesës së dytë, Désiré Doué vulosi fitoren 4-1 me një gol me kokë, duke i siguruar Francës tre pikët dhe vendin e parë në grup.

Edhe Norvegjia siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt, ndërsa vendimi i trajnerit Ståle Solbakken për të pushuar disa prej yjeve kryesorë, përfshirë Erling Haaland dhe Martin Ødegaard, mund t’i ketë ndihmuar norvegjezët të shmangin një përballje më të vështirë në raundin e ardhshëm. /GazetaExpress/

Të ngjashme