Patundshmëria vazhdon të mbetet sektori kryesor që tërheq investimet e huaja në Kosovë, duke dëshmuar edhe një herë mungesën e investimeve më të mëdha në sektorët prodhues.
Pavarësisht rritjes së Investimeve të Huaja Direkte (IHD), ekonomia e vendit vazhdon të mbështetet kryesisht në investime në prona të paluajtshme, ndërsa prodhimi dhe sektorët që do të ndikonin më shumë në rritjen e eksporteve dhe uljen e varësisë nga importi mbeten me një pjesëmarrje dukshëm më të vogël.
Sipas të dhënave që Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për IndeksOnline, gjatë periudhës janar-mars 2026, Investimet e Huaja Direkte arritën në 215.55 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 7.81 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Të dhënat për tremujorin e dytë të vitit 2026 (prill-qershor) ende nuk janë publikuar. Sipas kalendarit të publikimeve të BQK-së, statistikat për periudhën janar-qershor 2026 pritet të bëhen publike më 31 gusht 2026.
Sipas strukturës së investimeve, sektori i patundshmërisë vazhdon të mbetet destinacioni kryesor i kapitalit të huaj në Kosovë. Gjatë tre muajve të parë të vitit, ky sektor ka tërhequr rreth 72.36 për qind të totalit të Investimeve të Huaja Direkte, duke konfirmuar dominimin e tij në ekonominë e vendit.
Pas patundshmërisë, investimet janë orientuar kryesisht në shërbimet financiare, industrinë prodhuese, si dhe në sektorin e informacionit dhe komunikimit dhe tregtinë, që përbëjnë fushat me interes më të madh për investitorët e huaj.
Sa i përket origjinës së kapitalit, Gjermania, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë burimet kryesore të Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë. Në mesin e investitorëve më të mëdhenj renditen gjithashtu Sllovenia, Shqipëria dhe Turqia, duke reflektuar interesimin e vazhdueshëm të investitorëve nga këto shtete për tregun kosovar.
Rritja e investimeve gjatë tremujorit të parë të vitit konsiderohet një sinjal pozitiv për ekonominë e vendit, megjithëse ekspertët vazhdojnë të theksojnë nevojën për diversifikimin e investimeve edhe në sektorë me vlerë më të lartë të shtuar, si prodhimi, teknologjia dhe industria përpunuese, në mënyrë që ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik dhe punësim të jetë më i madh.