KEK thotë se ka tejkaluar kërkesën për konsum në qershor, arrin kapacitet 108.2%

Prishtinë | 03 Kor 2026 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se gjatë muajit qershor 2026 ka arritur të tejkalojë kërkesën për konsum të energjisë elektrike, duke siguruar kapacitete prodhuese në nivelin 108.2%.

Sipas KEK-ut, ky rezultat konfirmon stabilitetin operacional dhe rolin e saj në garantimin e sigurisë energjetike të vendit.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka shënuar një tjetër rezultat të jashtëzakonshëm operacional, duke arritur që gjatë muajit qershor 2026 të sigurojë kapacitete prodhuese që tejkalojnë kërkesën për konsum të rregulluar”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit qershor KEK ka vënë në dispozicion 305,916 MWh energji elektrike, ndërsa kërkesa për konsum ka qenë 282,608 MWh, duke rezultuar në tejkalim prej 8.2%.

“Të dhënat kryesore: Kapacitetet në dispozicion: 305,916 MWh; Kërkesa për konsum: 282,608 MWh; Kapaciteti i ofruar: 108.2%; Tejkalimi i kërkesës për konsum: 8.2%”, thuhet në njoftim.

KEK thekson se gjatë pjesës më të madhe të muajit ka arritur të furnizojë mbi 120% të kërkesës ditore, pas rikthimit në operim të njësive prodhuese.

“Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se, gjatë pjesës më të madhe të muajit, pas rikthimit në operim të njësive prodhuese, KEK ka arritur të ofroj mbi 120% të kërkesës ditore për konsum”, thuhet më tej.

Sipas korporatës, ky rezultat është arritur në një periudhë kur po zhvillohen investime dhe modernizime të mëdha në kapacitetet prodhuese.

“Ky rezultat merr peshë edhe më të madhe duke pasur parasysh se është arritur në një periudhë kur KEK po realizon njëkohësisht programin më të madh të investimeve dhe modernizimit në historinë e saj”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme