Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka vendosur të vazhdojë edhe për 30 ditë masën e përkohshme të rregullimit të çmimeve maksimale të derivateve të naftës, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe stabilizimin e tregut.
Sipas ministrisë, vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizës së të dhënave të Doganës së Kosovës, të cilat tregojnë se çmimet e importit nuk kanë shënuar ulje.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka vendosur të vazhdojë edhe për 30 ditë rregullimin e përkohshëm të çmimeve maksimale të produkteve të naftës, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të çmimeve të arsyeshme në treg”, thuhet në komunikatë.
MINTI thekson se lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në mënyrë të pabarabartë në tregun vendor.
“Analizat kanë treguar se lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në tregun vendor kryesisht kur ato rriten, ndërsa uljet nuk përcillen në mënyrë të plotë ose ndodhin me vonesë”, thuhet më tej.
Me vendimin e ri, është përcaktuar edhe mënyra e llogaritjes së çmimeve maksimale të shitjes.
“Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të llogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të furnizimit të evidentuar nga Dogana e Kosovës, plus 2 eurocentë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë çmimi mesatar i furnizimit plus 12 eurocentë për litër”, thekson ministria.
MINTI u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve tregtare që të respektojnë çmimet e përcaktuara dhe të sigurojnë furnizim të rregullt të tregut.
“Subjektet që nuk respektojnë vendimin do t’u nënshtrohen masave ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thotë njoftimi.