Këshilltari i ministrit Muja: Pse gjithë kjo nguti kur procedurat ende nuk kanë përfunduar?

Prishtinë | 06 Kor 2026 | 21:49 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i ministrit në detyrë të Bujqësisë, Venhar Isufi, ka reaguar lidhur me procesin e analizave dhe procedurat që kanë të bëjnë me subjektin “Vita”, duke ngritur pikëpyetje për, siç thotë ai, “ngutinë” e krijuar para përfundimit të procedurave ligjore dhe administrative.

Sipas Isufit, në takimin me Shoqata e Përpunuesve të Qumështit dhe përfaqësuesit e Vita, është bërë e qartë se rezultatet e të gjitha mostrave duhet të priten deri në përfundimin e plotë të procesit të analizave.

Ai ka deklaruar gjithashtu se përfaqësuesit e subjektit kanë konfirmuar se nuk kanë aplikuar për regjistrim në Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), siç kërkohet nga Ligji për Ushqimin dhe nëntë vendimet e ministrit që rregullojnë këtë fushë.

Ai ka shtuar se Shoqata e Përpunuesve të Qumështit nuk kishte qenë në dijeni se subjekti në fjalë nuk posedon licencë për posedimin dhe përdorimin e vajit të palmës dhe qumështit pluhur. Sipas tij, shoqata është informuar gjatë takimit për vendimet e ministrit dhe legjislacionin në fuqi që rregullon këto produkte.

Në fund të reagimit të tij, Isufi ka ngritur pyetjen: “Pse gjithë kjo nguti, kur procedurat ligjore dhe administrative ende nuk kanë përfunduar?”

Të ngjashme