Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratave të ministres serbe, lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve.
Snezhana Paunoviq u shpreh se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, sikur të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, raporton IndeksOnline.
Sipas Konjufcës, heshtja ndaj një deklarate të tillë nuk është opsion, njëjtë sikurse nuk janë opsion përgjigjet e dobëta.
“Një ministre e qeverisë serbe ka bërë thirrje publikisht për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Një retorikë e tillë i lavdëron krimet e luftës, kërcënon stabilitetin rajonal dhe është krejtësisht e papajtueshme me vlerat evropiane, si dhe me të ardhmen evropiane” deklaroi Konjufca.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të marrë masa të rrepta.
“Nivelet më të larta të lidershipit të BE-së duhet të përgjigjen me një dënim të qartë publik, t’i kujtojnë Serbisë detyrimet e saj dhe të sigurohen që një sjellje e tillë të ketë pasoja në procesin e saj të pranimit.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, një shoqërie shumëetnike, pajtimit të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë, dhe të ardhmes evropiane. Edhe Serbia duhet ta zgjedhë këtë rrugë” shkroi Konjufca në “X”.
Ndonëse tha se nuk komentojnë deklaratat e politikanëve, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, pati një mesazh të qartë për të gjithë ata që përdorin retorikë diskriminuese dhe që justifikojnë krimet e luftës.
“Parimi kyç është se nuk duhet të ketë dhe nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik. Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, deklaroi Hipper.