Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) ka shënuar 24-vjetorin e themelimit, duke shënuar më shumë se dy dekada angazhim në përfaqësimin e interesave të bizneseve kosovare dhe në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Me moton “24 vjet – më shumë se një histori, një mision!”, AKB vë në pah rrugëtimin e saj ndër vite, sfidat e përballuara dhe përkushtimin ndaj fuqizimit të sektorit privat në Kosovë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të AKB-së, ka theksuar rëndësinë e sektorit privat për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke kërkuar kushte të barabarta, siguri juridike dhe mbështetje për prodhimin vendor.
Shahini ka thënë se AKB-ja, që nga themelimi në vitin 2002, ka pasur për mision përfaqësimin e interesave të bizneseve kosovare dhe ngritjen e shqetësimeve të tyre në nivel politik dhe ekonomik.
“Aleanca në 2002 e mbështetur nga partnerë tradicionalë përtej oqeanit, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisi një mision të vet për të bërë një zë dhe një dinjitet më të madh për biznesin kosovar. Që nga atëherë, AKB-ja ka qëndruar pranë ndërmarrjes, prodhuesit, biznesit, duke ngritur shqetësimet e tyre në nivel politik dhe nivel ekonomik”, potencoi Shahini.
Ai ka përmendur krizat, pasiguritë, pengesat administrative, sfidat energjetike dhe konkurrencën e pabarabartë si disa nga vështirësitë me të cilat janë përballur bizneset ndër vite.
“Prandaj, gjatë viteve kemi pasur kriza, pasiguri, pengesa administrative, sfida energjetike dhe konkurrencë të pabarabartë, por asnjëra prej tyre nuk na kanë ndryshuar bindjen tonë se pa biznese të fortë nuk ka ekonomi të fortë, pa ekonomi të fortë nuk ka mirëqenie dhe pa punë nuk ka të ardhme të qëndrueshme të Republikës sonë”, shtoi ai.
Shahini, ka thënë se bizneset në Kosovë nuk kërkojnë privilegje, por drejtësi, siguri juridike dhe kushte të barabarta për konkurrim.
“Mesazhi ynë për këtë natë dhe për këtë rrugëtim tonë është i qartë: biznesi nuk ka kërkuar privilegje, kërkon drejtësi, rregulla të barabarta, siguri juridike dhe kushte të ndershme për të konkuruar. Kosova ka nevojë shumë për prodhim, për energji të përballueshme, administratë efikase, ashtu që të lidhen me tregun e punës, me dialog të mirëfilltë dhe me ndërmjetësim të institucioneve me biznese dhe qeveri”, deklaroi ai.
Nënkryetarja e Kuvendit, Emilja Rexhepi ka thënë se Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), për 24 vjet, ka luajtur rol të rëndësishëm në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të bizneseve, si dhe në fuqizimin e ekonomisë së vendit.
Ajo ka theksuar se bizneset janë shtyllë e zhvillimit ekonomik, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit është kyç për arritjen e suksesit të përbashkët.
“Për 24 vjet, AKB-ja ka qenë zë i rëndësishëm i bizneseve duke mbrojtur interesat e tyre dhe duke kontribuar në fuqizimin e ekonomisë sonë. Bizneset janë shtylla e zhvillimit të vendit, derisa bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit është çelësi e suksesit tonë të përbashkët” tha Rexhepi .
Ndërsa ish kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe bizneseve, duke vlerësuar se zhvillimi ekonomik dhe rritja e buxhetit të Kosovës varen nga suksesi i sektorit privat.
“Po në të njëjtën kohë edhe ne kur është kërkuar, pra ndihma jonë, kemi qenë aty, kemi bashkëpunuar. Pse duhet të bashkëpunojmë ,në qoftë publike edhe biznesi?Ne dimë se buxhetin e bëjnë bizneset. Pra, buxhetin e Kosovës e bëjnë bizneset. Dhe rritja e buxhetit nuk mundet me u rritë bizneset, pa u rritë ekonomia, pa pasur sukses, pa pasur profit bizneset. Politikata fiskale që i përshtaten bizneseve nuk janë pare që i mungojnë buxhetit, janë pare që nxitin rritje, nxitin gjenerim, nxitin zhvillim, edhe politikata e mira fiskale ndihmojnë” shtoi Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka vlerësuar rolin e Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB) në përkrahjen dhe fuqizimin e bizneseve vendore.
Në 24-vjetorin e themelimit të AKB-së, Idrizi ka thënë se kjo organizatë ia kushton punën dhe përkushtimin projekteve që synojnë zhvillimin e bizneseve dhe forcimin e ekonomisë së tregut.
“Si një institucion shumë i rëndësishëm , që krejt punën, angazhimin, energjinë dhe përkushtimin ia kushton projekteve të bisneseve, fuqizimit të bisneseve të një shteti model kapitalist, të një ekonomie të lirë të tregut, me të vetmin qëllim që në truallzat tona, që institucionet tona të zërëvohën prodhimet vendore. Prodhimet të cilat e rrisin eksportin dhe e zvogëlojnë importin”, shtoi Idrizi .
Idrizi, ka bërë thirrje për mbështetje më të madhe të bizneseve vendore dhe konsumim të produkteve të prodhuara në Kosovë.
“Por dëshira më thotë që edhe unë t’i bashkohem thirrjes sime që t’i mbështesim sa më shumë bisneset, që t’i konsumojmë sa më shumë prodhimet vendore, dhe një thirrje tjetër që të gjitha këto i bëjmë, në qoftë se produktet tona arrijnë dy karakteristika: pra, cilësinë dhe çmimin”, potencoi ai.
Përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Sami Morina, ka uruar Aleancën Kosovare të Biznesit (AKB) për 24-vjetorin e themelimit, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy organizatave.
Morina ka falënderuar AKB-në për bashkëpunimin e deritanishëm, duke vlerësuar kontributin e kryetarit Agim Shahini dhe të paraardhësve të tij në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet organizatave.
“Dëshiroj kështu këtë 24-vjetor t’ju përgëzoj dhe t’ju uroj 24-vjetorin e Aleancës së Bizneseve, duke falënderuar për bashkëpunimin që kam pasur me Odën deri tani, edhe duke shpresuar se bashkëpunimi do të rritet në nivele edhe më të larta, Sigurisht që mikut tim të dashur, zotëri Shahini, nuk i ka kursyer vetveten për të na ndihmuar, gjithashtu edhe po ashtu edhe paraardhësit e tij që kemi pasur bashkëpunime të shkëlqyera me Aleancën Kosovare të Bizneseve”, tha Morina.





