Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shukri Buja, ka bërë homazhe pranë varreve të Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi, dhe dëshmorit Kadrush Ilazi, duke përkujtuar veprën dhe sakrificën e tyre.
Në një postim të publikuar, Buja ka theksuar se kanë kaluar 28 vjet nga rënia heroike e Rexhep Bislimit, të cilin e ka cilësuar si një nga veprimtarët, organizatorët dhe luftëtarët e parë të UÇK-së, si dhe komandant i njësitit të Ferizajt në fillimet e luftës çlirimtare.
“Liria që e gëzojmë sot nuk erdhi si dhuratë. Ajo u fitua me gjakun e dëshmorëve, me sakrificën e heronjve dhe me qëndresën e popullit tonë”, ka shkruar Buja.
Ai ka thënë se kujtimi për dëshmorët dhe heronjtë është një detyrim moral dhe amanet që duhet të ruhet e të përcillet ndër breza.
Buja ka shprehur respekt për veprën e Rexhep Bislimit, Kadrush Ilazit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke përmbyllur reagimin e tij me mesazhe nderimi dhe përkujtimi.