Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), e përfaqësuar nga kryetari Agim Shahini, mori pjesë në aktivitetin kombëtar “Bukë, Kripë e Zemër, Ujë, Vaj Ulliri dhe Buzëqeshje”, i mbajtur në Pogradec, ku përfaqësoi komunitetin e biznesit të Kosovës.
Aktiviteti u organizua nga Kryetari i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare, Kujtim Dervishi, në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit, ndërsa u zhvillua nën kujdesin e Prefektes së Qarkut Korçë, Dr. Florinda Zegullaj, Kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, dhe Prefektit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, biznesit, turizmit dhe gastronomisë nga Shqipëria dhe Kosova, me synimin për të promovuar mikpritjen tradicionale shqiptare si një identitet të përbashkët kombëtar dhe si një vlerë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, përgëzoi organizatorët për nismën, duke theksuar rëndësinë e mikpritjes shqiptare si një prej aseteve më të çmuara kombëtare dhe si faktor me ndikim në zhvillimin ekonomik.
“Është nder dhe kënaqësi të përfaqësoj Kosovën në këtë nismë kaq domethënëse. Tradita shqiptare e bukës, kripës dhe zemrës është një vlerë që na bashkon të gjithë shqiptarët. Kjo iniciativë duhet të shtrihet në të gjitha trojet shqiptare, përfshirë Kosovën, si simbol i mikpritjes, respektit dhe zhvillimit të turizmit”, u shpreh Shahini.
Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerësoi gjithashtu angazhimin e Dr. Florinda Zegullaj, Ilir Xhakollit, Shkëlqim Hajdarit dhe Kujtim Dervishit për organizimin dhe mbështetjen e kësaj nisme, duke theksuar se ajo kontribuon në promovimin e traditës, gastronomisë dhe kulturës shqiptare, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit në mbarë hapësirën shqiptare.