IKD: Ministria nuk po zbaton aktgjykimet për pensionet e dyfishta të kategorive të dala nga lufta

Prishtinë | 29 Kor 2026 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Departamentet e Pensioneve në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të cilat u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë.

Sipas IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara. Instituti thotë se edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, në disa raste ministria nuk i ekzekuton aktgjykimet, nuk i alokon mjetet financiare për përfituesit ose nxjerr vendime të reja që bien ndesh me ato që kanë vendosur gjykatat.

IKD-ja thekson se ka raste kur, edhe pse e drejta është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Supreme, qytetarët vazhdojnë të mos marrin përfitimet që u janë njohur me vendim të formës së prerë.

Po ashtu, sipas institutit, kur gjykata anulon një vendim administrativ dhe e kthen çështjen në rivendosje, ministria në disa raste nxjerr sërish vendime refuzuese me të njëjtin arsyetim, pa respektuar udhëzimet dhe qëndrimin juridik të gjykatës.

IKD-ja ka vlerësuar se kjo praktikë cenon sigurinë juridike, autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe parimin e “res judicata”, duke i detyruar qytetarët të ndjekin vazhdimisht procedura të reja administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje.

“Neni 394 i Kodit Penal e konsideron vepër penale refuzimin ose mosekzekutimin e një vendimi të plotfuqishëm gjyqësor, për të cilin dënimi mund të arrijë deri në pesë vjet burgim. Në rrethana të caktuara mund të ngrihen dyshime edhe për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në reagim. 

IKD-ja kërkon nga MPFVLÇ që të evidentojë dhe zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, të kryejë pagesat që burojnë prej tyre dhe të ndalë nxjerrjen e vendimeve që bien në kundërshtim me qëndrimet e gjykatave.

Njëkohësisht, IKD-ja i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë rastet për shkak të dyshimeve për moszbatim të vendimeve gjyqësore.

Të ngjashme