Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Mali i Zi është gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe se vendi duhet të bëhet pjesë e bllokut deri në fund të kësaj dekade.
Gjatë një vizite në Dublin, Merz tha se Mali i Zi ka përmbushur në masë të madhe kushtet e kërkuara për anëtarësim.
“Kanë kaluar 13 vjet që kur Bashkimi Evropian pranoi një anëtar të ri, megjithëse vazhdon të deklarojë se është i hapur për shtetet evropiane që plotësojnë kriteret e Kopenhagës. Mali i Zi po i përmbush këto kritere, prandaj BE-ja duhet ta mbajë fjalën. Mali i Zi duhet të bëhet anëtar deri në fund të dekadës, nuk duhet ta lëmë të presë më gjatë”, u shpreh Merz.
Sipas Deutsche Welle, deklarata e kancelarit gjerman vjen në një kohë kur disa shtete anëtare të BE-së kanë propozuar që proceset e anëtarësimit të Malit të Zi dhe Serbisë të lidhen së bashku.
Megjithatë, Mali i Zi konsiderohet gjerësisht si vendi më i avancuar në procesin e zgjerimit të BE-së, ndërsa Serbia po mbetet dukshëm prapa në përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian.