Kusari-Lila: Publikimi i të dhënave nga ARBK është bërë sipas ligjit, transparenca do të vazhdojë

Prishtinë | 03 Gus 2026 | 12:34 | Nga Drita Dërmaku

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se publikimi i të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), përfshirë statutet dhe të dhënat e kompanive, është bërë në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Tregtare. Ajo tha se dokumentet shtesë janë tërhequr përkohësisht vetëm për verifikim me Agjencinë për Informim dhe Privatësi, por paralajmëroi se publikimi i tyre do të vazhdojë, raporton Ekonomia Online.

E pyetur lidhur me publikimin e të dhënave personale të biznesmenëve në Kosovë dhe masat e ndërmarra pas reagimeve, Hajdari tha se i gjithë procesi është zhvilluar mbi bazën e dispozitave ligjore.

“Krejt çka ka ndodhur në procesin e ngritjes së transparencës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë ka qenë konform nenit 22 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, në të cilat informacionet për statutet e kompanive, për emrat dhe adresat e pronarëve dhe përfaqësuesve zyrtarë janë të përcaktuara me dispozitat ligjore. Përderisa ajo që është thënë në raport me nënshkrimet personale të individëve që kanë deponuar aty, mund t’i shihni rastet e rajonit, më konkretisht Shqipërinë apo edhe Malin e Zi apo Bosnjë-Hercegovinën, e shihni se komplet kopjet apo transkriptet e statuteve dhe dakordimeve në mes të partnerëve publikohen ashtu siç edhe janë, pa redaktime. Ne e kemi tërhequr përkohësisht vetëm këtë pjesën e statuteve apo informacioneve shtesë derisa ta bëjmë verifikimin e plotë edhe me Agjencinë për Informim dhe Privatësi, me të cilët kemi qenë prej fillimit në dakordim edhe e kemi filluar këtë proces, por prapë ato do të publikohen me, them specifikat apo kërkesat të cilat mund t’i ketë eventualisht agjencia”, tha ajo.

Ajo kritikoi reagimet që pasuan publikimin e të dhënave, duke i cilësuar si të pajustifikuara dhe duke theksuar se transparenca është obligim ligjor.

“Por një panik e natyrës së tillë çfarë unë e vrejta dhe e pashë e çfarë dakordime, në fakt çfarë deklarime kishin përfaqësues çoftë të subjekteve politike apo edhe të subjekteve ekonomike është paksa e çuditshme për faktin se ato janë obligime ligjore. Nëse janë mësuar me mungesë transparence, ajo nuk do të jetë. Domethënë ne do të vazhdojmë me publikimin sipas dispozitave të ligjit në fuqi dhe gjithashtu për t’i qëndruar besnik jo vetëm respektimit të ligjit, por edhe transparencës dhe standardeve që Kosova obligohet edhe sipas normave të Këshillit të Evropës”, u shpreh ministrja në detyrë.

Sipas ministres në detyrë, periudha kur një pjesë e të dhënave të bizneseve nuk bëhej publike tashmë ka përfunduar dhe operatorët ekonomikë duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre publike.

“Do të thotë, ka ekzistuar një parim në të cilin shumë informacione që kanë qëndruar prapa regjistrimit të bizneseve nuk janë bërë publike. E ajo periudhë ka përfunduar. Tashmë ato informacione, krejt çka është në bazë të ligjit, secili që operon apo secili operator ekonomik ka edhe përgjegjësi publike. Nuk mund të ketë biznes me agjendë private. Të tillë janë subjektet private. Bizneset nuk janë subjekte private”, deklaroi ajo.

Kusari-Lila tha se e kupton shqetësimin për ndonjë informacion që mund të jetë publikuar pa qëllim si pasojë e mosredaktimit të sistemit, por jo kundërshtimet ndaj publikimit të të dhënave që, sipas saj, duhet të jenë publike me ligj.

“Prandaj unë mundohem ta mirëkuptoj deri ku ndjeshmërinë e ndonjë informacioni i cili joqëllimshëm ka mundur të rrjedhë si rrjedhojë e mungesës apo dështimit të sistemit në moment për t’u redaktuar, por nuk mund ta kuptoj reagimin stihik në raport me informacione të cilat i kemi obligim ligjor t’i publikojmë dhe do t’i publikojmë”, shtoi Kusari-Lila.

Të ngjashme