81-vjeçari vret ish-bashkëshorten pas një debati për para

Prishtinë | 04 Gus 2026 | 07:58 | Nga Ekonomia Online

Një 81-vjeçar është arrestuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij 71-vjeçare, e cila vuante nga demenca.

Ngjarja ka ndodhur në Oak Lawn të Illinoisit, ndërsa i dyshuari, Charles Buss, u arrestua më 16 korrik në Stone County, Missouri, nga Shërbimi i Marshallëve të ShBA-së dhe më pas u ekstradua në Illinois.

Sipas autoriteteve, pas një hetimi disa mujor, prokuroria ngriti ndaj Buss akuzën për vrasje të shkallës së parë. Ai doli para gjykatës më 31 korrik, ku gjyqtari vendosi që të mbahet në paraburgim.

Prokurorët pretendojnë se Buss qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten e tij, Maryanne Buss-Kincaid, pas një debati lidhur me shpenzimet për kujdesin e saj mjekësor. Sipas tyre, viktima kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe ndihmë të përditshme për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, ndërsa shpenzimet mbuloheshin nga vajza e çiftit dhe vetë Buss.

Policia u njoftua për ngjarjen më 5 prill, pasi kujdestarja e 71-vjeçares e gjeti atë pa shenja jete në banesën e saj. Mjekësia ligjore konstatoi se viktima kishte humbur jetën si pasojë e dy plagëve me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës, ndërsa vdekja u klasifikua si vrasje.

Hetuesit zbuluan se Buss kishte qenë në Oak Lawn në periudhën kur dyshohet se ndodhi krimi dhe më pas ishte kthyer në Missouri, ku banonte.

Sipas prokurores së çështjes, pak ditë para vrasjes, mes ish-bashkëshortëve kishte ndodhur një debat për çështje financiare. Kujdestarja, e cila ishte e pranishme gjatë konfliktit, deklaroi se Buss kishte thënë se do t’i “lante duart nga gjithçka”, duke bërë një gjest simbolik me duar.

Prokuroria pretendon gjithashtu se pas debatit, Buss i kërkoi kujdestares të ndryshonte orarin e punës dhe i tha se tashmë ai do t’ia paguante pagën, jo më vajza e viktimës. Ai, sipas dëshmisë së saj, insistoi që ajo të mos kthehej për dy ditë. Kur u rikthye në banesë, kujdestarja e gjeti Maryanne Buss-Kincaid të pajetë.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës kanë mohuar akuzat. Ata theksuan se 81-vjeçari nuk ka precedentë penalë, ka shërbyer në ushtri dhe ka pasur një karrierë të gjatë si zjarrfikës dhe marangoz. Mbrojtja pretendon se provat kundër tij janë të pakta dhe hodhi dyshime edhe mbi mundësinë e përfshirjes së kujdestares, pretendim që u hodh poshtë nga gjykata.

Të ngjashme