Inskenoi një defekt në veturë për të shmangur këstet, britaniku dënohet me burg

Prishtinë | 04 Gus 2026 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Një 33-vjeçar është dënuar me katër vjet e tre muaj burg, pasi inskenoi një defekt të rremë në veturën e tij elektrike Jaguar, me qëllim që të shmangte pagesën e kësteve të papaguara dhe të përfitonte financiarisht nga rasti.

Sipas mediave britanike, Nathan Owen më 6 mars të vitit 2024 telefonoi shërbimin e emergjencës, duke pretenduar se frenat e veturës nuk funksiononin, ndërsa po lëvizte me shpejtësi në një autostradë pranë Liverpoolit.

Policia organizoi një operacion të gjerë për ta ndalur automjetin dhe për të mbrojtur përdoruesit e tjerë të rrugës. Gjatë rreth 35 minutave, vetura vazhdoi lëvizjen derisa u ndal vetëm pasi iu harxhua bateria, raporton Bild.de, transmeton Klankosova.tv.

Pas ngjarjes, Owen e shiti historinë e tij në media, duke nxitur raportime të shumta që dëmtuan reputacionin e prodhuesit Jaguar.

Kompania deklaroi se u detyrua të shpenzonte rreth 58 milionë euro për të menaxhuar pasojat ndaj imazhit të saj.

Megjithatë, hetimet zbuluan se pretendimet e tij ishin të pavërteta, raporton Klankosova.tv. Analiza e të dhënave të automjetit tregoi se ai nuk e kishte shtypur asnjëherë pedalin e frenave, ndërsa ekspertët konfirmuan se vetura ishte në gjendje të rregullt teknike.

Po ashtu, u konstatua se vetëm pak çaste para telefonatës në emergjencë ai kishte ndaluar normalisht në një rrethrrotullim.

Hetuesit zbuluan edhe motivin e mashtrimit. Owen kishte mbetur me mijëra euro borxhe për këstet e veturës dhe, nga mesazhet e gjetura në telefonin e tij, rezultoi se kishte diskutuar mënyra për ta hequr qafe automjetin, madje edhe duke shkaktuar një dëmtim total.

Gjykata e shpalli fajtor për mashtrim, ndërsa gjyqtari e dënoi me katër vjet e tre muaj burg, duke vlerësuar se ai kishte vënë në rrezik jetën e shumë njerëzve dhe kishte shkaktuar pasoja të mëdha financiare dhe të reputacionit.

Të ngjashme