Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur me rreth 10 minuta vonesë në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të zhvillojë takimin e paralajmëruar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka shkuar në takim i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ndërsa në takim nga ana e LDK-së po merr pjesë Abdixhiku së bashku me nënkryetarin e kësaj partie, Lutfi Haziri dhe ish-presidentja Vjosa Osmani.
Kurti tha se i kanë votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë.
“Ne kemi mjaftueshëm mbështetje sa i përket Kuvendit dhe qeverisë, por që të gjithë e dini mirë se për zgjedhjen e Presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita. Kurse kushtetutshmëria është e tillë që presidentin e sheh si shprehje të unitetit dhe ku opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”, tha ai.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut është zhvilluar pas ftesës së kryeministrit në detyrë për konsultime me partitë politike, para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Pas përfundimit të takimit, pritet që liderët e të dy partive të japin deklarata për media.
