Dogana zbulon produkte të padeklaruara për trajtimin e flokëve në Vërmicë

Prishtinë | 06 Gus 2026 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të tentim importit të mallrave të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.

Gjatë kontrolleve të rregullta në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtari doganor ndaloi për kontroll një automjet me targa të shteti fqinj. Gjatë intervistimit, udhëtari, shtetas i huaj, deklaroi se nuk posedonte mallra apo mjete monetare për t’i deklaruar pranë autoriteteve doganore.

Bazuar në indikatorët e analizës së rrezikut dhe dyshimet e krijuara gjatë kontrollit fillestar, zyrtari doganor kërkoi kryerjen e një kontrolli të detajuar të automjetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës

Si rezultat i kontrollit, u zbuluan produkte për trajtimin e flokëve me vlerë të përafërt prej 4,600 euro, për të cilat poseduesi nuk kishte dokumentacion përcjellës apo faturë që dëshmonte origjinën dhe importimin e rregullt të tyre.

Përveç shmangies së obligimeve doganore, rasti paraqet edhe një rrezik potencial për shëndetin publik, pasi produktet kozmetike dhe ato për trajtimin e flokëve, kur importohen jashtë procedurave ligjore, nuk i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve kompetente lidhur me sigurinë, përbërjen dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për tregun e Republikës së Kosovës.

Në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave, Ligji Nr. 08/L-247, veprimet e ndërmarra përbëjnë kundërvajtje doganore, sipas dispozitave të nenit 144, që sanksionojnë mosdeklarimin dhe tentimin për shmangie të kontrollit doganor të mallrave që futen në territorin doganor të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe administrative të parapara me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës mbetet e angazhuar në parandalimin e hyrjes dhe qarkullimit të mallrave të padeklaruara, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Të ngjashme