Aktivistja Julide Yazici, 32 vjeç, e cila rezultoi e kërkuar nga Ankaraja për protestat kurde kundër Erdoganit, u dërgua në burg në Shqipëri.
Yazici rezultoi gjatë kontrollit kufitar e kërkuar për dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste, veprime që e lidhin atë me demonstratat për të drejtat kurde të shtatë viteve më parë, shkruan TopChannel, transmeton klankosova.tv.
E reja rezulton se mori pjesë, gjatë kohës që ishte studente, në protestat e partisë komuniste kurde në grupin e rinisë dhe dosja tregon se, pas kontrolleve në një banesë me qira në Stamboll, u gjetën të dhëna kompromentuese sipas drejtësisë turke, mes tyre pako, por edhe gjurmë papilare në një automjet që kishte transportuar bombat artizanale në demonstratë.
Për këtë çështje, Yazici u dënua në mungesë me 4 vite burgim, teksa kishte fituar azilin politik në Francë.
Gjykata vendosi arrest në burg për Yazici, pas qëndrimit të prokurorit Francesk Ganaj, i cili renditi se paraburgosja e të dyshuarës duhet të vendoset sipas ligjeve vendase në fuqi.
Prokurori e shpjegoi kërkesën duke u bazuar në faktin se ky material bazohet në aktet rreth ekstradimit.
E kërkuara tha para gjyqtarit se është e persekutuar politikisht, pasi ka protestuar ndaj Erdoganit, dhe se nëse dorëzohet në Turqi, i rrezikohet jeta. Avokatët pretenduan të njëjtën gjë.
Avokati turk pohoi për Top Channel se do të njoftohen autoritetet franceze, përderisa e arrestuara ka mbrojtje politike në këtë shtet.