Një grua me origjinë rumune është arrestuar nga policia italiane, pasi dyshohet se ka marrë pa leje mbesën e saj vetëm 10-ditëshe nga një spital në provincën e Kazertës.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, më 9 gusht. Sipas hetimeve paraprake, gruaja kishte hyrë në spitalin ku ndodhej e shtruar vajza e saj dhe kishte marrë foshnjën nga krevati pa njoftuar personelin apo autoritetet.
Pas alarmit të ngritur nga policia në Kazertë, njësitë e policisë rrugore nisën kërkimet për automjetin me të cilin ishte larguar gruaja.
Të nesërmen, targat e makinës u identifikuan dhe një patrullë e policisë rrugore në Firence arriti ta lokalizojë dhe ta ndalojë automjetin në autostradën A1.
Brenda makinës ndodhej edhe foshnja 10-ditëshe, ndërsa gruaja u arrestua nga autoritetet italiane.
Gjyqtari hetues në Toskanë ka konfirmuar masën e arrestit.
Sipas informacioneve fillestare të hetuesve, dyshohet se gruaja synonte të largohej nga Italia dhe të shkonte në Rumani bashkë me foshnjën.