IQMT: Largohen nga tregu 7 produkte qumështi që nuk kanë deklaruar përmbajtjen e vajit të palmës

Prishtinë | 13 Gus 2026 | 18:14 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar, inspektimet në treg lidhur
me produktet e qumështit me bazë bimore, në zbatim të masave të ndërmarra nga AUV-i.
Inspektimet janë zhvilluar në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Suharekë.

Gjatë ditës së sotme janë realizuar gjithsej 12 inspektime në markete të ndryshme, ku janë
evidentuar produkte të ndaluara për shitje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Gjatë inspektimeve të sotme janë tërhequr nga tregu këto produkte:

  • Schmand, VITA 18%, 180 g;
  • Schmand, VITA 18%, 400 g;
  • Schmand, VITA 18%, 800 g;
  • Holla Cooking Cream, 1 L;
  • Holla Barista, 3.8%, 1 L;
  • Mazë tradicionale, DRENA, 1 kg;
  • Schmand i freskët, BYLMETI.

Gjatë ditëve në vijim, inspektorët e IQMT-së do të fillojnë shqiptimin e gjobave, në përputhje
me Ligjin Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ndaj operatorëve
ekonomikë që ende nuk kanë bërë tërheqjen e produkteve të evidentuara si të papajtueshme
me raportin e AUV-it.

IQMT ka intensifikuar gjithashtu bashkëpunimin me konsumatorët përmes platformës së
komunikimit në Viber, në numrin +383 (0) 46 311-000, ku gjatë kësaj periudhe janë pranuar
ankesa nga konsumatorë të cilët kanë raportuar se kanë hasur në markete të ndryshme
produkte të ndaluara për shitje.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u bën thirrje të gjithë
operatorëve ekonomikë që të zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e produkteve të
përcaktuara nga autoritetet kompetente, duke respektuar vendimet e AUV-it dhe legjislacionin
në fuqi.

Të ngjashme