Lidhja e Bizneseve të Kosovës e vlerëson si një hap tejet të rëndësishëm hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimin e përgjegjësive te Policia e Kosovës.
Sipas Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ky zhvillim përbën një lajm pozitiv për vendin dhe ndikon drejtpërdrejt në imazhin e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në veçanti, siguria dhe stabiliteti janë faktorë të rëndësishëm për rritjen e besimit të investitorëve vendorë dhe të huaj.
“Sa më shumë siguri dhe stabilitet, aq më shumë besim, investime dhe zhvillim ekonomik”, thekson Lidhja e Bizneseve të Kosovës.
Qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të Ibrit, sipas kësaj organizate, nuk përfaqëson vetëm një hap drejt lidhjes së njerëzve dhe komuniteteve, por edhe një zhvillim të rëndësishëm në forcimin e sigurisë, sovranitetit dhe perspektivës për paqe të qëndrueshme në Kosovë.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh mirënjohje për të gjitha institucionet që kanë kontribuar ndër vite për arritjen e këtij momenti, me theks të veçantë te Policia e Kosovës, e cila vazhdon të ketë rol kyç në garantimin e sigurisë në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.