Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.), është deklaruar për nënshkrimin e kontratës për shitjen e qymyrit me JSC ESM, “duke shënuar një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, e ka cilësuar KEK. Sipas KEK, vlera e përgjithshme e kontratës, “bazuar në sasinë e paraparë, mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro”.
KEK thotë se “kjo marrëveshje strategjike trevjeçare është rezultat i një procesi të përbashkët, të mbështetur në interesin reciprok dhe në synimin për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme për sektorët energjetikë të të dyja vendeve”.
“Një ndër elementet kryesore të kontratës është çmimi prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, i cili do të mbetet i pandryshuar gjatë gjithë periudhës 36-mujore. Kjo u garanton të dyja palëve siguri dhe stabilitet afatgjatë, duke reduktuar ekspozimin ndaj luhatjeve dhe pasigurive të tregjeve ndërkombëtare”, vijon KEK.
“Për KEK-un, kjo paraqet një mundësi të rëndësishme për sigurimin e të hyrave të qëndrueshme, planifikimin më të mirë të prodhimit dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve minerare”, thuhet tutje në reagimin e KEK-ut.
“Po aq i rëndësishëm është fakti se KEK-u nuk do të ketë asnjë obligim lidhur me eskavimin, transportin e qymyrit apo me operacionet e tjera logjistike për tërheqjen e tij. Të gjitha këto përgjegjësi do t’i bartë blerësi, JSC ESM, ndërsa KEK-u do t’i inkasojë mjetet drejtpërdrejt nga kjo kompani për sasinë e qymyrit të tërhequr”, thuhet tutje në njoftimin e KEK-ut.
Tutje, sipas KEK “marrëveshja vjen në një periudhë veçanërisht të rëndësishme për KEK-un, i cili është duke realizuar investime të mëdha kapitale në rehabilitimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike. Ndalesat e planifikuara të njësive të termocentraleve për realizimin e këtyre projekteve kërkojnë menaxhim të kujdesshëm të resurseve dhe financave të Korporatës”.
“Në këtë kontekst, të hyrat nga shitja e qymyrit do të kontribuojnë në mbulimin e kostove operative dhe kapitale, ndërsa një pjesë e tyre do të orientohet në modernizimin e infrastrukturës së Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ), me qëllim të rritjes së kapaciteteve, efikasitetit dhe sigurisë së operacioneve minerare”, thekson KEK më tej.