KFOR: Hapjen ose jo të urës mbi Ibër e përcaktojnë BE-ja dhe Kosova, jo ne

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për procesin e optimizimit të strukturës së tij, siç u njoftua më 12 qershor 2026.

Sipas një njoftimi dërguar mediave, KFOR-i tha se kjo po bëhet për të siguruar që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij.

Në njoftim theksohet se prania e KFOR-it do të rritet në disa zona, duke përfshirë, por pa u kufizuar vetëm në Mitrovicën e Veriut dhe në përgjithësi në veri të Kosovës.

KFOR-i, thuhet në njoftim, do të vazhdojë të vlerësojë rregullisht situatën në terren dhe të mbajë një strukturë të krijuar për të kontribuar në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Në këtë drejtim, u tha se kalimi gradual i strukturës së përhershme të KFOR-it në Urën mbi Ibër është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit dhe pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë.

“Vendimet lidhur me praninë e KFOR-it në Urën e Mitrovicës bazohen në vlerësimin tonë të situatës së sigurisë”, tha admirali George Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.

Ai shtoi: “KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo është çështje që duhet ta përcaktojnë BE-ja dhe institucionet përkatëse në Kosovë, pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”.

“Personeli i KFOR-it”, theksoi Wikoff, “do të mbetet i pranishëm në zonat përreth”.

Në njoftimin për media u potencua se zbatimi i ligjit nuk është pjesë e mandatit të KFOR-it. Megjithatë, u bë e qartë se KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe me parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.

“Policia e Kosovës është një institucion legjitim lokal për zbatimin e ligjit”, u tha në njoftim, teksa u saktësua se origjina institucionale e këtij institucioni buron nga korniza policore e krijuar nën autoritetin e UNMIK-ut, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Kapacitetet dhe përgjegjësitë e saj kanë evoluar brenda kësaj kornize dhe sot ajo vepron si reaguesi i parë i sigurisë për zbatimin civil të ligjit dhe sigurinë publike”.

“Ky rol i paraprin procesit aktual të optimizimit të KFOR-it, i cili nuk përbën transferim të mandatit apo përgjegjësive të KFOR-it te Policia e Kosovës. KFOR-i ruan mandatin e tij të veçantë të sigurisë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 dhe do të vazhdojë ta zbatojë këtë mandat të kahershëm, plotësisht dhe në mënyrë të paanshme”, u theksua në njoftimin e misionit të KFOR-it.

Në njoftim bëhet me dije se procesi i optimizimit të strukturës së KFOR-it po zbatohet në mënyrë transparente, të qëndrueshme, të matur dhe graduale.

“Optimizimi po koordinohet ngushtë me institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, si dhe me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. KFOR-i po angazhohet rregullisht me të gjitha palët e përfshira në këtë proces, duke përfshirë homologët lokalë, si dhe Forcat e Armatosura të Serbisë. Procesi mund të kthehet mbrapsht, nëse kjo diktohet nga zhvillime relevante që mund të ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, u tha në këtë njoftim.

Gjeneralmajori Ozkan Ulutash, komandant i misionit të KFOR-it, ka thënë se angazhimi i misionit për sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë “është i palëkundur, siç dëshmohet nga prania e vazhdueshme dhe e dukshme e personelit tonë në terren, përfshirë përmes patrullimeve të rregullta, pikave të vëzhgimit dhe angazhimeve me komunitetet lokale”.

“Si gjithmonë, aktivitetet tona të përditshme do të zhvillohen duke marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve”, potencoi Ulutash. 

Të ngjashme