Komuna e Klinës ka përfituar një grant në vlerë prej 1 milion e 865 mijë eurosh nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat.
Marrëveshja e grantit është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, dhe ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli. Në takim morën pjesë edhe nënkryetari Fadil Gashi dhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Ilir Bacaj.
Sipas marrëveshjes, 1.35 milionë euro do të ndahen për ndërtimin e rreth 20 njësive të reja të banimit social, 350 mijë euro për renovimin e rreth 14 shtëpive private, ndërsa 165 mijë euro për rindërtimin e tri shtëpive private.
Në total, projekti parasheh trajtimin e rreth 37 njësive të banimit dhe shtëpive, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në nevojë.
Kryetari Elezaj e ka cilësuar projektin si një hap konkret drejt krijimit të kushteve më të sigurta dhe më dinjitoze të banimit, duke falënderuar institucionet qendrore për mbështetjen dhe ekipet komunale për angazhimin në përgatitjen e projektit.