Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka ngritur shqetësimin për gjendjen në sektorin e qumështit, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse.
Haradinaj ka thënë se sektori i qumështit është një nga shtyllat kryesore të bujqësisë dhe ekonomisë së Kosovës dhe se shteti duhet të krijojë politika që mbrojnë prodhuesit vendorë, fermerët dhe përpunuesit.
Sipas tij, masat e ndërmarra së fundmi nga institucionet dhe agjencitë përgjegjëse, sipas pretendimeve të prodhuesve, po shkaktojnë vështirësi serioze për industrinë dhe po rrezikojnë vazhdimësinë e prodhimit.
“Masat duhet të jenë proporcionale dhe të bazuara në ligj”, ka theksuar Haradinaj, duke nënvizuar se mbrojtja e konsumatorit dhe etiketimi korrekt janë të domosdoshme, por nuk duhet të çojnë në paralizimin e prodhimit vendor.
Ai ka paralajmëruar se pasojat tashmë po ndihen në treg, me mungesa të produkteve në disa markete dhe ndalje të linjave të prodhimit, ndërsa kompanitë vazhdojnë të përballen me shpenzime për paga, energji, kredi dhe obligime ndaj fermerëve.
Haradinaj e ka cilësuar veçanërisht shqetësuese ndërhyrjen në këtë sektor gjatë muajit gusht, kur prodhimi dhe grumbullimi i qumështit janë në kulm. Sipas tij, vendimet e tilla mund të dëmtojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga fermeri te përpunuesi dhe konsumatori.
Ai ka kritikuar gjithashtu vështirësitë që prodhuesit vendorë po hasin në eksport, ndërsa tregu i Kosovës vazhdon të jetë i hapur ndaj produkteve të importuara.
Në fund, ish-deputeti i AAK-së u ka bërë thirrje institucioneve që të ulen në dialog me industrinë dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme.
“Një industri e fortë e qumështit është në interes të gjithë Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.