Dogana e Kosovës ka mbledhur rreth 1.3 miliardë euro të hyra deri më tani gjatë vitit 2026, apo rreth 71 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Llugaliu tha se kjo përbën rritje prej afër 6 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa pret që deri në fund të vitit të jetë afër planit të të hyrave të përcaktuar nga Qeveria, ose ta tejkalojë atë lehtë.
“Ne kemi përmirësim në luftimin e ekonomisë joformale të theksuar, kemi përmirësim në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e Republikës së Kosovës. Jemi diku 71 milionë më shumë se sa viti paraprak. Tani që po flasim e kemi raportin me 1.3 miliard të hyra të grumbulluara. Kjo përbën afër 6% rritje krahasuar me vitin paraprak. Kemi pasur proces lirimet të vazhdueshme po ashtu të rritura nga taksat për shkak se marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë shkuar duke u thelluar, duke u zgjeruar me aplikim, po ashtu edhe lehtësirat që i ka bërë qeveria për prodhuesit kanë shënuar një rritje të konsiderueshme sa i përket lirimeve nga taksat, po megjithatë, edhe pse kjo vepron kundër suksesit tonë në të hyra, ne vazhdojmë të kemi një rritje të theksuar krahasuar me vitin paraprak”, tha ai.
Llugaliu tha se Dogana këtë vit ka pasur një agjendë të ngarkuar reformash, përfshirë kalimin e terminaleve doganore që kanë qenë në pronësi private në menaxhim të shtetit dhe nisjen e deklarimit para arritjes.
“Dogana dihet që ka ndërmarrë reforma në vazhdimësi që nga themelimi para 27 viteve. Mirëpo ato që kisha me theksuar gjatë këtij viti që kemi pasur një agjendë mjaft të ngarkuar sa i përket reformave, sivjet me të gjitha terminalet që kanë qenë të hapura brenda vendit në pronësi private, disa prej tyre, që të gjitha tani janë vendosur në menaxhim të shtetit. Gjithashtu duke filluar nga maji i këtij viti ne kemi filluar me procedurën e deklarimit para arritjes, duke u bazuar në infrastrukturën ekzistuese të digjitalizimit ku në Doganë të gjitha procedurat kryhen pa letër, domethënë vetëm në mënyrë digjitale. Që nga maji kur kemi filluar veç kemi, jemi në proces të ndërtimit të treguesve të performancës për me mat se cili ka qenë ndikimi. Ende është herët me folur për shifra konkrete, mirëpo e vërejmë që mbi 60% kanë ndikuar procedurat e reja që të shkurtohet koha e zhdoganimit”, tha ai.
Sipas tij, komuniteti tregtar ka dhënë vlerësime pozitive për lehtësirat e reja, ndërsa koha e nevojshme për procedimin e eksporteve është përgjysmuar.
“Nga komuniteti tregtar po ashtu kemi marrë informata kthyesve mjaft pozitive sa i përket lehtësirave që kemi bërë. Po ashtu vlen të theksohet që edhe sa i përket eksportit kemi arritur që ta përgjysmojmë kohën e nevojshme për procedimin e eksportit, e cila edhe ashtu ka qenë mjaft e shkurtër për shkak se historikisht Dogana i ka kushtuar rëndësi eksportit. Me të gjitha këto reforma, po edhe me punën e performancën e zakonshme, edhe sivjet vazhdojmë të kemi suksese të konsiderueshme në të gjitha fushat sa i përket treguesve që i matim në vazhdimësi”, tha Llugaliu, për Ekonomia Online.
I pyetur për deficitin tregtar dhe faktin se importet vazhdojnë të jenë dukshëm më të larta se eksportet, Llugaliu tha se Dogana po krijon lehtësira për prodhuesit dhe eksportuesit, ndërsa theksoi rritjen e eksporteve krahasuar me vitin paraprak.
“Besoj që do të jemi aty-aty afër, ose një tejkalim të lehtë të planit që ka përcaktuar qeveria për këtë vit. Në fakt sivjet vërejmë një rritje të krahasuar me vitin paraprak. Ne si Doganë në rolin që e kemi me lehtësirat, me krijuar mundësi që prodhuesit tanë me u zgjeruar, ne e bëjmë me zellin më të madh. Kjo është pjesa që i përket përgjegjësisë së Doganës dhe siç e theksova edhe më herët, lehtësirat për eksportuesit, lehtësirat për prodhuesit bazuar në vendimet e qeverisë për lirim të makinerisë prodhuese, lirim të lëndës së parë, lirim të plotë të burimeve të energjisë që i përdorin prodhuesit në proces, që të gjitha Dogana ka zhvilluar procese të cilat mundësojnë që prodhuesi ta ketë sa më të lehtë, më lehtë se sa të gjithë të tjerët për me arritur me i pasur efikase proceset e prodhimit dhe lëshimin në qarkullim në treg apo në eksport”, tha ai.
Drejtori i Doganës tha se rritja e të hyrave është ndikuar edhe nga bashkëpunimi me institucionet e tjera në luftimin e ekonomisë joformale.
“Padyshim që një pjesë e konsiderueshme e kontributit në suksesin tonë në të hyra është edhe aktiviteti që ne e bëjmë si Doganë, mirëpo edhe aktiviteti që bëjnë institucionet e tjera siç është Policia, Agjencia Kosovare për Inteligjencë, prokuroritë, gjykatat. Të gjitha veprimet që ndërmerren në drejtim të luftimit të ekonomisë joformale kontribuojnë në synimin tonë për të pasur mbledhje të të hyrave të drejtë për buxhetin e Kosovës. Prandaj ne kemi përmirësim në të gjitha shifrat sa i përket edhe treguesve të luftimit të ekonomisë joformale. Domethënë sivjet qëndrojmë më mirë se vjet, vjet ka qenë më mirë se sa viti paraprak, kështu që kemi pasur në vazhdimësi një rritje të theksuar të efikasitetit në këtë drejtim”, tha ai.
Sa i përket kontrabandës, Llugaliu tha se nuk ka dallim të madh strukturor në mes të rajoneve, ndërsa theksoi se trekëndëshi Kosovë–Maqedoni e Veriut–Serbi konsiderohet si një prej zonave me rrezikun më të lartë.
“Në fakt nuk përbën ndonjë dallim strukturor sa i përket informatave që i marrim, konfiskimet që i bëjmë. Territori i Mitrovicës veriore është pak a shumë sikur çdo pjesë tjetër. Ne madje konsiderojmë që për nga numri i rasteve trekëndëshi Kosovë – Maqedoni e Veriut – Serbi është pjesa ku ne kemi ndoshta si regjion është me rriskun më të lartë sa i përket kontrabandës”, tha Llugaliu.
