Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se moskonstitumi i Kuvendit e ka vetëm një emër, “puç kushtetues”, raporton Ekonomia Online.
Hoxhaj ka ngritur shqetësime në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku deklaroi se që nga 7 dhe 8 gushti, sipas tij, themelet e shtetit janë rrënuar.
“Ka vetëm një emër: puç kushtetues”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj poashtu u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së sotme të organizuar nga Komunat dhe marshit për drejtësi më 12 shtator.
“Kuvendi i Kosovës është themeli i shtetit. Në këtë sallë ne kemi shpallur pavarësinë, kemi miratuar Kushtetutën, jemi zotuar për një Republikë demokratike dhe parlamentare. Nga 7-8 gushti, këto themele janë rrënuar. Demokracia nuk shuhet vetëm përmes dhunës. Demokracia shuhet edhe përmes formave të tjera. Prej ’99-tës e deri sot, nuk ka pasur një gjendje politike më të rrezikshme e më të rëndë sesa gjendja politike që e kemi sot. Ne kemi ardhur çdo 48 orë për ta mbrojtur demokracinë. Çdo deputet i Kuvendit të Kosovës, kur dekretohet, betohet se do ta mbrojë rendin kushtetues dhe integritetin e institucioneve të Kosovës. Çdokush që sot nuk është në sallë është duke e shkelur këtë betim”, ka deklaruar ai.
