Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se thirrja e seancës për konstituimin e Kuvendit është në përgjegjësi të kryesuesit, deputetit më të moshuar, Avni Dehari, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se Dehari ka shprehur gatishmërinë për ta thirrur seancën për konstituimin e institucioneve, por me kusht që ajo të zhvillohet pa incidente, dhunë apo përpjekje për tensionimin e mëtejshëm të situatës.
“Tash, seancën e thërret kryesuesi, që është deputeti më i moshuar, Avni Dehari. Ai ka dhënë një shpjegim se dëshiron ta thërrasë seancën për konstituimin e institucioneve, por pa incidente, pa dhunë dhe pa përpjekje për ta tensionuar edhe më tej situatën.
Ata të cilët po nxitohen për konstituimin e Kuvendit, në kohën kur nuk mbështesin zgjidhje për presidentin, në fakt nuk po duan konstituimin e Kuvendit, por po duan zgjedhje të përsëritura, që janë thellësisht të panevojshme. Nuk ka kuptim të insistosh në konstituimin e Kuvendit atëherë kur e di se, pas konstituimit, nëse nuk zgjidhet presidenti, duhet të shkosh përsëri në zgjedhje”, tha Kurti.