Studentët e Fakultetit Filozofik të UP-së vizitojnë Tiranën, takohen me kryeministrin Edi Rama

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 20:44 | Nga Ekonomia Online

Studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës kanë zhvilluar një vizitë në Tiranë, gjatë së cilës kanë pasur mundësinë të zhvillojnë një takim të drejtpërdrejtë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Takimi është zhvilluar në Qendrën COD, ku studentët janë pritur nga kryeministri Rama në një bashkëbisedim të hapur, të drejtpërdrejtë dhe përmbajtësor. Vizita u ka ofruar studentëve mundësinë për të qenë pjesë e një diskutimi nga afër me kreun e qeverisë shqiptare dhe për të përjetuar një përvojë të veçantë jashtë auditorëve universitarë.

Për vizitën ka njoftuar ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili ka ndarë edhe fotografi nga qëndrimi i studentëve në kryeqytetin shqiptar.

Malaj ka bërë të ditur se ka shoqëruar studentët edhe gjatë një shëtitjeje në Tiranë, duke e cilësuar vizitën si një përvojë të veçantë për ta.

“Foto-album nga vizita e studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Tiranë, ku në Qendrën COD u pritën nga Kryeministri Edi Rama në një takim të hapur, të drejtpërdrejtë dhe përmbajtësor”, ka shkruar ambasadori Malaj.

Ai ka vlerësuar pjesëmarrjen e studentëve në këtë vizitë, duke u uruar atyre që kjo përvojë të mbetet një kujtim i veçantë.

“Ishte kënaqësi t’i shoqëroja studentët edhe gjatë një shëtitjeje në kryeqytetin e bukur të Shqipërisë, Tiranë”, ka shkruar Malaj.

Në postimin e tij, ambasadori ka shprehur gjithashtu falënderim për kompaninë Sharr Travel, për gatishmërinë dhe mbështetjen në mundësimin e udhëtimit të studentëve drejt Tiranës.

“Përgëzime studentëve për këtë përvojë të veçantë dhe falënderim për Sharr Travel, për gatishmërinë dhe mbështetjen, si gjithmonë, në mundësimin e këtij udhëtimi”, ka përfunduar ambasadori shqiptar.

Vizita e studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Tiranë vjen si një mundësi për të ndërthurur aspektin akademik me atë kulturor dhe shoqëror, duke u dhënë studentëve mundësinë të njihen nga afër me institucionet, hapësirat publike dhe jetën e kryeqytetit shqiptar.

Të ngjashme