Përgjegjësia institucionale për mbrojtjen e grave, mosveprimi i institucioneve përballë rasteve të dhunës dhe nevoja për shtimin e punëtorëve socialë në komuna ishin në fokus të fjalimeve të protestuesve gjatë protestës kombëtare kundër vrasjes së grave, të organizuar të shtunën nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, protestueset Saranda Sadikaj dhe Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës kanë kërkuar llogaridhënie institucionale dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre.
Sadikaj ka kritikuar mënyrën se si institucionet dhe shoqëria reagojnë pas vrasjes së grave, duke thënë se jeta e tyre nuk trajtohet me seriozitetin e duhur derisa ato janë ende gjallë.
“Jeta e një gruaje vajtohet pasi ajo të jetë vrarë: me lule, me fjalime, me ngushëllime zyrtare e me konferenca që e përmbajnë tonin e ftohtë të protokollit. Para vrasjes, ajo nuk llogaritet”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka përmendur edhe rastin e Diana Kastratit, e cila kishte kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente në vitin 2011, por ishte vrarë 22 ditë më vonë.
“Kjo nuk është histori e vetme. Diana Kastrati, më 26 prill 2011, kërkoi urdhër për mbrojtje emergjente. Gjykata nuk iu përgjigj. Njëzet e dy ditë më vonë, Diana u vra. Në vitin 2013, Gjykata Kushtetuese konstatoi se mosveprimi i gjykatës e kishte shkelur të drejtën e saj për jetë. Sot, pesëmbëdhjetë vjet më vonë, aktakuza është ngritur në mungesë, dhe policia u kërkon qytetarëve ndihmë për të gjetur të akuzuarin. Diana kërkoi mbrojtje nga shteti dhe pas pesëmbëdhjetë vjetësh shteti kërkon ndihmën tonë”, tha ajo.
Ndërkaq, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar shtimin e punëtorëve socialë në komuna, duke bërë të ditur se për këtë nevojiten 444 mijë euro në vit nga buxheti i shtetit.
“Kemi kërkuar së paku dy punëtorë socialë shtesë në secilën komunë dhe katër në Prishtinë, për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Sa kushton kjo? 444 mijë euro në vit nga buxheti i shtetit. A është kjo shumë e madhe për sigurinë e grave dhe fëmijëve? Por nuk kërkojmë vetëm më shumë punëtorë socialë. Kërkojmë edhe investim serioz në ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale. Punëtorët socialë janë menaxherë të rasteve të dhunës ndaj grave. Ata duhet të dinë ta vlerësojnë rrezikun, të planifikojnë sigurinë dhe të koordinojnë mbrojtjen, me qasje të ndjeshme ndaj traumës dhe pa paragjykime gjinore”, tha ajo.
Berisha ka kërkuar edhe llogaridhënie për rastet kur Qendrat për Punë Sociale nuk i përmbushin përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.
“Dhe kërkojmë llogaridhënie! Qendrat për Punë Sociale kanë përgjegjësi të qartë për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Kur kjo përgjegjësi neglizhohet, kur rastet nuk trajtohen me seriozitet dhe kur nuk ndërmerren veprimet e nevojshme, duhet të ketë përgjegjësi profesionale dhe institucionale. Nuk mund të pranojmë që gratë të paguajnë me sigurinë dhe jetën e tyre çmimin e neglizhencës institucionale”, tha ajo.
Ajo ka paraqitur tri kërkesa konkrete: shtimin e së paku dy punëtorëve socialë në secilën komunë dhe katër në Prishtinë, investimin në trajnimin dhe aftësimin e vazhdueshëm të tyre për menaxhimin e rasteve të dhunës ndaj grave, si dhe mbikëqyrjen dhe llogaridhënien institucionale kur nuk përmbushen detyrimet për mbrojtjen e grave.
“Prandaj, sot kemi tri kërkesa të qarta: 1. Më shumë investim në shërbime sociale: së paku dy punëtorë socialë shtesë në secilën komunë dhe katër në Prishtinë. 2. Investim në kapacitetet profesionale: trajnim dhe aftësim i vazhdueshëm i punëtorëve socialë për menaxhimin e rasteve të dhunës ndaj grave. 3. Llogaridhënie institucionale: mbikëqyrje dhe përgjegjësi konkrete kur profesionistët dhe institucionet nuk e përmbushin detyrimin për mbrojtjen e grave”, tha ajo.
Protesta kombëtare u organizua pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, me kërkesë për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për rastin, si dhe për masa më të fuqishme në mbrojtjen e grave nga dhuna.



