Xhelozia dyshohet se u bë mollë sherri mes shqiptarit dhe marokenit në Itali

Prishtinë | 06 Sht 2026 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Një debat që dyshohet se nisi për motive xhelozie ka përfunduar në përleshje pranë stacionit të trenit në Treviglio, në provincën e Bergamos. Në konflikt mbeti i plagosur një 35-vjeçar maroken, ndërsa një 22-vjeçar shqiptar u arrestua nga autoritetet italiane.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22:00, kur dy personat zbritën nga i njëjti tren. Sipas rindërtimit të deritanishëm, mes tyre kishte pasur një konflikt të nisur më herët, ndërsa në qendër të tij dyshohet se ishte një çështje xhelozie, shkruajnë mediat italiane transmeton Klankosova.tv.

Situata u përshkallëzua pranë stacionit, ku 35-vjeçari po pritej edhe nga dy persona të tjerë. Një dëshmitar, pronar i një lokali aty pranë, ka treguar se i pa duke u grindur sapo zbritën nga treni.

Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar pjesën e parë të përplasjes. Sipas hetuesve, në nënkalimin e stacionit, 35-vjeçari dyshohet se e ka kërcënuar shqiptarin me një thikë të madhe kuzhine.

Më pas, konflikti ka vijuar në një parking në Viale Vittorio Veneto, pranë xhamisë. Sipas hetimeve, 22-vjeçari dyshohet se e ka ndjekur 35-vjeçarin dhe e ka goditur me thikë në krah dhe në pjesën e poshtme të shpinës.

I plagosuri u dërgua me urgjencë në spitalin e Treviglios, pasi kishte humbur një sasi të konsiderueshme gjaku. Gjendja e tij më pas është stabilizuar, ndërsa ai vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

22-vjeçari shqiptar, banues në Verona, u arrestua po atë mbrëmje. Karabinierët kanë sekuestruar edhe një thikë palosëse që dyshohet se është përdorur gjatë përplasjes.

Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka pranuar se e ka goditur 35-vjeçarin, por ka pretenduar se ka vepruar në vetëmbrojtje, duke deklaruar se më herët ishte kërcënuar dhe sulmuar prej tij.

I riu ndodhet në burg nën akuzën e tentativës së vrasjes, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes.

Të ngjashme