Katër gra u vranë në familje për tetë muaj, sociologu Xerxa: Dhuna po normalizohet edhe institucionalisht

Prishtinë | 07 Sht 2026 | 08:06 | Nga Drita Dërmaku

Katër gra kanë humbur jetën si pasojë e vrasjeve të ndodhura në familje gjatë periudhës janar–26 gusht 2026, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe viktimën e rastit të fundit në Prizren. Për sociologun Genc Xerxa, këto raste janë tregues i një problemi më të thellë shoqëror, ku ndërthuren mentaliteti patriarkal, pabarazia gjinore, varësia ekonomike, normalizimi i dhunës dhe faktorë të tjerë socio-ekonomikë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Xerxa ka thënë se në Kosovë tashmë janë shfaqur disa indikacione të femicidit, ndërsa ka paralajmëruar se mungesa e reagimit me kohë ndaj dhunës mund të çojë në pasoja fatale.

“Pra, po, për keqardhje, po na ndodhin këto vrasje, po na përcjellin. Kemi disa indikacione të femicidit. Shkaqet kryesore mund të jenë: pra, në njërën anë kemi një sistem shoqëror patriarkal në brendësi që funksionon, ku në qendër dhe në vendimmarrje merret burri, ndërsa në anën tjetër gruaja shihet vetëm si pronë, jo si raport i barabartë i raporteve familjare apo i çifteve bashkëshortore. Kjo pastaj ndikon duke e krijuar mundësinë që burri të dominojë”, tha ai.

Sipas Xerxës, një tjetër problem është normalizimi i dhunës, i cili, siç tha ai, në raste të caktuara shfaqet edhe në nivel institucional, duke bërë që rastet të mos trajtohen me seriozitetin e duhur.

“Pastaj kemi edhe normalizimin e dhunës, disa herë edhe institucionalisht, ku ndodhin konflikte të ndryshme apo dhunë e shfaqur. Në disa raste institucionet thonë: “Hajde se ndoshta do kalojë”, nuk e raportojnë me kohë, nuk merren masat adekuate dhe kjo pastaj po ekzagjerohet, po del jashtë kontrollit dhe në disa raste po përfundon edhe me fatalitet”, u shpreh Xerxa.

Ai ka përmendur edhe pavarësinë ekonomike të grave si një faktor që mund të ndikojë drejtpërdrejt në aftësinë e tyre për t’u shkëputur nga një marrëdhënie abuzive, ndërsa ka theksuar edhe ndikimin e varësive dhe problemeve të shëndetit mendor.

“Pastaj kemi pavarësinë ekonomike të gruas, apo autonominë e gruas. Kur do të kishte pavarësi ekonomike, ndoshta nga aspekti socio-ekonomik do të ishte edhe më e fortë në raportin edhe pa e barabartë në raportin me çiftin bashkëshortor. Në anën tjetër, kemi pastaj edhe disa varësi të tjera. Në shumicën e rasteve, po përsëritet dhuna ndoshta edhe nga shëndeti i rënduar mendor apo që po vjen nga substanca të ndryshme psiko-somatike: droga, alkooli, bixhozi e disa varësi të tjera që ndikojnë direkt në raportet familjare dhe në mirëqenien e saj, ”theksoi ai.

Sipas tij, të gjithë këta faktorë krijojnë një situatë ku dhuna mund të përshkallëzohet dhe të marrë forma gjithnjë e më të rënda.

“Pra, të gjitha këto janë një mori faktorësh të cilët, në njëfarë forme, e denigrojnë dhe krijojnë predispozita për t’u shfaqur dhuna edhe pastaj ajo mund të mos kontrollohet, por vetëm të marrë forma të cilat në disa raste del edhe jashtë kontrollit”, thotë ai.

Duke folur për ndikimin e gjendjes ekonomike në familje, sociologu Xerxa ka thënë se rritja e kostos së jetesës dhe inflacioni mund të shtojnë tensionet brenda familjeve, veçanërisht kur familjet nuk arrijnë t’i përmbushin nevojat e tyre.

“Po, këto janë faktorët socio-ekonomikë. Sepse ne e dimë që kemi një inflacion dita-ditës, jeta, kostoja e jetesës dita-ditës po na rëndohet, po shtrenjtohet. Ashtu që kushtet po na rëndohen edhe në pamundësi për t’i krijuar të gjitha kërkesat që i ka familja, atëherë është vetëm pak e nevojshme të del një konflikt, edhe pastaj konflikti merr përmasa të ndryshme, të del jashtë kontrollit, të shfaqet në forma edhe të dhunës. Në disa raste mund të përfundojë, kur nuk kontrollohet, nuk merret me kohë, nuk trajtohet, atëherë mund të ndodhin edhe dhunë e skajshme apo raste ku edhe po vriten gratë”, thekson sociologu.

Xerxa ka bërë thirrje që gratë të raportojnë çdo rast të dhunës, ndërsa ka thënë se institucionet duhet të ofrojnë siguri emergjente, strehim dhe mbështetje të vazhdueshme për viktimat.

 “Jo, siç e përmenda më herët, kemi normalizim edhe institucionalisht në njëfarë forme të dhunës. Pastaj kemi sigurinë emergjente. Pra, në rastet kur kemi shpërfaqje të dhunës brenda familjes, atëherë nevojitet që institucionet relevante të sigurojnë strehim dhe këshillim apo ofrim kujdesi vazhdimisht ndaj gruas e cila i është nënshtruar dhunës, qoftë edhe familjes. Pra, strehim të vazhdueshëm, siguri të mjaftueshme, mbështetje deri në pavarësimin, kyçjen në tregun e punës, që të mos krijohen kushtet recidiviste që dhunuesi prapë të aplikojë dhunë edhe të shfaqet pastaj ajo e pakontrolluar”, u shpreh Xerxa.

Ai ka thënë se duhet të ketë edhe kritere më të rrepta dhe mekanizma shtesë të sigurisë në rastet kur dhunuesi rikthehet në familje, në mënyrë që të mbrohen gratë dhe fëmijët.

Në anën tjetër, edhe bashkimet familjare të cilat bëhen, në qoftë se duhen të merren disa kritere më strikte, më bazë, filtra, më shumë të shikohen situatat se dhunuesi a është trajtuar në mënyrë, pastaj të krijohen disa leva të sigurisë se në rast se prapë shfaqet, se si të mbrohet gruaja, pastaj qoftë edhe familja tjetër, fëmijët që i ka afër vetes. Po në njëfarë forme ekzistojnë duhet të ndërtohen mekanizma shtesë që krijojnë siguri, strehim të vazhdueshëm ndaj gruas në raport ndaj dhunës ndaj bashkëshortit apo kushdo qoftë brenda familjes, që ajo të ndihet e sigurt, e trajtuar, e barabartë dhe deri në risocializimin apo pavarësimin e saj ekonomik duke e shtyrë, e mbështetur me ndonjë zanat apo ndonjë shkollim, që ajo të jetë e pavarur dhe të mund ta vazhdojë jetën autonome me anëtarët e tjerë të familjes apo vetë”, tha ai për Ekonomia Online.

Duke komentuar vendimet gjyqësore në rastet e vrasjeve të grave dhe reagimet që ato shkaktojnë në opinion publik, Xerxa ka thënë se drejtësia duhet të ketë rol më të madh parandalues.

 “Po, është e vërtetë se këtu gjyqësia, duke e ditur që gjyqësia ndoshta nuk po ndikon me azhuritet dhe me parandalim të situatës duke e skenuar dhe e ditur gjendjen çfarë është. Edhe duke e ditur këtë brishtësi, neve po na shfaqen këto vrasje të cilat po vijnë nga jashtë. Pra, kemi ne bashkëqytetarë që po vijnë nga mërgata dhe vrasjet po i kryejnë brenda në Kosovë. Disa raste unë mendoj që, duke e ditur këto zbrazëtira ligjore, këtë brishtësi gjyqësore që e kemi, po i shfrytëzojnë rastet se duke i bërë këto akte kriminale, në vendet evropiane do të ishin sanksionuar në mënyrë më të mundshme dhe në mënyrë më përmbajtësore se sa kjo që po ndodh tek ne”, thotë Xerxa.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe rastin e Liridona Ademajt dhe rastin që ndodhi në Malishevë, duke thënë se sipas tij ka mangësi institucionale që duhet të adresohen për të parandaluar raste të tilla.

Ashtu që i shfrytëzojnë këto brishtësi, këto edhe faktikisht me paramendim duket se bëhen, siç është rasti i Liridonës, pastaj ky rasti i fundit, nga jashtë ka ardhur dhe e ka kryer vrasjen. Pra, këtu ka çalime edhe te institucionet gjyqësore të cilat nuk po mund të krijojnë kushte parandaluese apo mekanizma të cilët do e mbronin gruan”, tha ai.

Të ngjashme