Në Zatriq të Komunës së Rahovecit është përuruar Parku i Erës me kapacitet të instaluar prej 70 megavatësh (MW), një nga investimet e rëndësishme në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Turqisë në Kosovë, Şeyda Çimeli Aydın, si dhe drejtues të kompanive dhe institucioneve të përfshira në projekt.
Kryeministri Kurti tha se përurimi i parkut përbën një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje energjetike të bazuar gjithnjë e më shumë në burime të pastra.
“Kosova ka potencial të madh për energji të ripërtëritshme. Prandaj, si qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke ndërmarrë hapa konkretë për ta shfrytëzuar këtë potencial, përmes investimeve të mençura dhe në interes të qytetarëve dhe të gjeneratave që vijnë”, tha Kurti.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Rahoveci po shndërrohet në një prej qendrave kryesore të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
“Rahoveci po bëhet qendra e energjisë së ripërtërishme në Kosovë. Është komuna e parë në Kosovë që ka kapacitete energjetike të erës dhe do të ketë edhe kapacitete solare”, deklaroi Rizvanolli.
Sipas saj, Parku i Erës në Zatriq pritet të prodhojë rreth 185 GWh energji të pastër në vit, sasi që ka potencial të mbulojë konsumin vjetor të rreth 45 mijë amvisërive.
“Fakti që po flasim për energji të erës, për kapacitete që kryesisht prodhojnë gjatë motit të ftohtë, kur kemi nevojë për më shumë energji, do të thotë që kontributi i këtij parku të erës prej 70 MW është i rëndësishëm për sektorin tonë energjetik dhe veçanërisht për zvogëlimin e importit gjatë muajve të ftohtë të dimrit”, tha ministrja.
Projekti është zhvilluar nga kompania EV Wind Park SH.P.K., në partneritet me Çalık Renewables dhe Eurokos Holding, në përputhje me standardet e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC).
Financimi është siguruar nga banka gjermane Helaba, ndërsa projekti është garantuar nga agjencia zvicerane për sigurimin e eksporteve SERV (Swiss Export Risk Insurance).