Lushaku-Sadriu: Kosova ndodhet në një periudhë historike, vendi duhet të ketë institucione

Prishtinë | 11 Sht 2026 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj nuk e ka kontestuar vullnetin e deputetëve për të përkrahur apo jo kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga partitë opozitare, raporton Ekonomia Online.

Lushaku tha se LDK-ja beson se propozimi për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë politike, duke theksuar se ky parim është respektuar edhe në rastin e partive të tjera.

“Në emër të LDK-së ne nuk e kontestuam vullnetin e asnjë deputeti të Kuvendit të Kosovës, për të përkrahur apo mos të përkrahur një nënkryetar nga partitë opozitare. Por gjithsesi besojmë thellë se propozimi ynë për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se në votimin individual për secilin kandidat për nënkryetar, LDK-ja ka vendosur t’i mbështesë propozimet e grupeve parlamentare, për sa kohë që kandidatët nuk kanë probleme me ligjin.

“Ne në votimin individual për secilin nënkryetar, morëm vendim që t’i përkrahim propozimet e GP-ve, të cilët janë propozime të partive politike dhe nuk kanë problem me ligjin”, tha Lushaku.

Duke folur për vazhdimin e seancës konstituive, deputetja e LDK-së tha se pret që pas konsultimeve dhe ndërprerjes së seancës, deputetët të rikthehen për të vazhduar procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Pres që pas konsultimeve dhe ndërprerjes, të kthehemi në seancë dhe ta vazhdojmë me konstituimin. Dua të them edhe një herë që nuk ka dyshim që konstituimi është tepër i rëndësishëm”, deklaroi ajo.

Lushaku theksoi se Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme si data e 16 shtatorit, dhe se, pas një periudhe të gjatë pa funksionalizim të plotë institucional, institucionet duhet të kthehen sa më shpejt në funksion.

Të ngjashme