Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se 97 gra janë vrarë në Kosovë që nga paslufta nga bashkëshortët ose familjarë të tjerë burra, duke theksuar se vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës nuk duhet të trajtohet si një tragjedi e izoluar, por si pjesë e problemit të femicidit dhe dhunës ndaj grave, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Haxhiu ka thënë se institucionet kanë përgjegjësi të sigurojnë që ankesat për dhunë të trajtohen me seriozitet, vendimet mbrojtëse të zbatohen dhe institucionet të bashkërendojnë veprimet e tyre.
Ajo ka përmendur letrën e Arlindës, në të cilën ajo kishte paralajmëruar se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta, duke thënë se tri ditë pas këtij paralajmërimi, më 25 tetor, ajo u vra në shtëpinë e saj.
“Ajo shkroi: ‘Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.’ Tri ditë më vonë, më 25 tetor, Arlinda u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës. Fjalët e saj sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim. Një grua ka humbur jetën, një djalë ka humbur nënën, e një nënë ka humbur të bijën. Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arlindës”, tha ajo.
Haxhiu ka thënë se femicidit i paraprijnë kërcënimet, kontrolli, frikësimi dhe dhuna e përsëritur, ndërsa ka bërë thirrje që edhe burrat të angazhohen në luftimin e dhunës ndaj grave.
“Janë 97 gra që janë vrarë ose nga burrat e tyre ose nga familjarë të tjerë burra që nga paslufta në Kosovë. 97 gra. I përmenda sot disa prej tyre sepse këto vrasje nuk mund t’i trajtojmë si tragjedi të shkëputura nga njëra-tjetra. Është femicid. Forma më e skajshme e dhunës ndaj grave. Femicidit i paraprijnë kërcënimet, kontrolli, frikësimi dhe dhuna e përsëritur. Por në rend të tij qëndron mendësia që gruan e sheh si pronë, që përpiqet t’ia kontrollojë jetën dhe zgjedhjet, që xhelozinë e arsyeton si dashuri, dhe dhunën vazhdon ta trajtojë si çështje private. E kundër kësaj mendësie, duhet të angazhohemi të gjithë si shoqëri e në veçanti burrat. Edhe burrat e këtij Kuvendi. Ngase nuk mund të presim që vetëm gratë të flasin kundër dhunës, që ushtrohet ndaj tyre. Edhe sot, në këtë Kuvend, si kryetare e Kuvendit pres që edhe burrat të flasin kundrejt vrasjes së grave e vajzave në vendin tonë. Burra duhet të jenë pjesë e ndryshimit në familje, në shkollë, në institucionet që drejtojnë, por po ashtu edhe në shoqëri. Por përballja me këtë mendësi sado e domosdoshme nuk na çliron nga detyrimet që kemi si institucione. Një grua që e denoncon dhunën ka të drejtë të presë që rreziku të vlerësohet me seriozitet, që vendimet të zbatohen dhe që institucionet të bashkërendojnë veprimet e tyre. Dhe pikërisht këtu duhet të përqendrojmë sot debatin. A po arrijmë ta përmbushim këtë detyrim dhe çfarë duhet të ndryshojmë aty ku mbrojtja nuk funksionon? Kjo përgjegjësi na përket të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike, apo funksioneve që sot i ushtrojmë. Sepse siguria e grave është çështje e përgjegjësisë publike dhe e funksionimit të shtetit. Si institucione kemi bërë përparime në infrastrukturën ligjore”, tha ajo.
