Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkime pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se përtej ngushëllimeve dhe dënimit të rastit, institucionet duhet të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësi, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka theksuar se vrasja e Arlindës nuk është rast i veçuar, por një fenomen që kërkon reagim të institucioneve përgjegjëse dhe të përfaqësuesve të zgjedhur.
“Një humbje e rëndë, e cila pa asnjë dyshim na ka prekur shumë. Pa asnjë dyshim, vrasja e Arlindës është një tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve. Por nuk është një rast i veçuar. Fatkeqësisht, është duke u bërë një fenomen i cili në Kosovë na obligon, sidomos neve që jemi në Kuvend, të zgjedhur mirëpo edhe institucioneve përgjegjëse të reflektojmë dhe mbi të gjitha të kërkojmë përgjegjësi. Nuk mjafton vetëm të shprehim ngushëllime. Nuk mjafton vetëm të dënojmë rastin. Nuk mjafton të vazhdojmë të flasim vetëm atëherë kur ndodhin tragjeditë. Sot do të duhej të kishte reflektim, do të duhej të kishte dorëheqje do të duhej të kishte shkarkim, mos kurrgjë si veprim etik ndaj një ngjarje e cila i shkaktoi dhimbje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
