Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë më në seancat e Kuvendit të Kosovës deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bllokim të procesit, shkelje të afateve dhe vendosje të kushteve të reja.
Përmes një komunikate për medie, PDK thekson se situata rreth konstituimit të Kuvendit ka hyrë në një fazë që kërkon qartësi përfundimtare kushtetuese. Partia opozitare rikujton se Kuvendi është dashur të konstituohej brenda afatit 30-ditor, më së largu deri më 7 gusht.
“Lëvizja Vetëvendosje e shkeli këtë afat, ndërsa më pas vendosi vetë një afat të ri, 6 shtatorin, të cilin gjithashtu nuk e respektoi”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Pavarësisht kësaj, PDK bën të ditur se për hir të proceseve të rëndësishme ka marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, duke i qëndruar fjalës dhe duke e votuar kandidatin e LVV-së për nënkryetar të Kuvendit. Megjithatë, ata akuzojnë partinë në pushtet se nuk e bëri të njëjtën gjë për kandidaten e PDK-së.
“LVV e theu premtimin e dhënë publikisht dhe refuzoi ta votonte kandidaten e PDK-së për nënkryetare. Ky veprim dëshmoi edhe një herë se, për LVV-në, fjala e dhënë vlen vetëm deri në momentin kur u shërben interesave të saj politike”, vlerëson partia.
Më tej, PDK thekson se LVV po tenton ta lidhë votimin e nënkryetarëve me mënyrën e votimit për Presidentin e Republikës, gjë të cilën e cilësojnë si të papranueshme.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike”, theksohet në komunikatë.
Për shkak të kësaj situate, ekspertët e kësaj partie tashmë po përgatisin lëndën e cila do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Deri në vendimin e këtij institucioni, PDK bën të qartë se nuk do të marrë pjesë nga një seancë në tjetrën pa pasur garanci për përmbylljen e procesit.
“Mjaft me afate të shkelura, kushte të reja dhe pazare politike. Tani fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese”, thotë reagimi i PDK-së.