BQK forcon më tej rrjetin e sigurisë financiare të Kosovës përmes qasjes në mekanizmin e avancuar EUREP të BQE-së

Prishtinë | 14 Sht 2026 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka pranuar konfirmimin për përfshirjen e saj në mekanizmin e avancuar të Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore – Eurosystem Repo Facility for Central Banks (EUREP), i themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e mëtejmë të kornizës së BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro. Ai shton një shtresë të re qëndrueshmërie për sistemin financiar të Republikës së Kosovës.

BQK aktualisht ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, të vlefshme deri më 31 janar 2027. Përfshirja në kornizën e avancuar EUREP përfaqëson kalimin nga kjo marrëveshje e kufizuar në shumë dhe kohë drejt kornizës së përhershme të Eurosistemit për sigurimin e likuiditetit mbështetës në euro për bankat qendrore jashtë zonës së euros.

Në kuadër të kornizës së avancuar EUREP, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro kundrejt kolateralit cilësor të denominuar në euro. Kapaciteti maksimal i një linje individuale në kuadër të kësaj kornize mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave të zbatueshme dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit.

Për Kosovën, si ekonomi që përdor euron, qasja në një mekanizëm të tillë të Eurosistemit është veçanërisht e rëndësishme. Ajo plotëson arkitekturën ekzistuese të stabilitetit financiar të vendit dhe forcon më tej kapacitetin e BQK-së për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të mundshme për likuiditet, si dhe goditjeve të jashtme apo financiare.

Guvernatori z. Ahmet Ismaili e mirëpriti këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme në forcimin e mëtejmë të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës. Ai shprehu mirënjohjen e sinqertë të BQK-së për Bankën Qendrore Evropiane për mbështetjen e vazhdueshme, besimin dhe bashkëpunimin konstruktiv.

“Ky është një avancim i rëndësishëm për rrjetin e sigurisë financiare të Republikës së Kosovës. Qasja në kornizën e avancuar EUREP forcon ndjeshëm instrumentet që BQK ka në dispozicion për ruajtjen e likuiditetit dhe stabilitetit financiar. Së bashku me pozitën e fortë të kapitalit dhe likuiditetit të sektorit tonë bankar, rezervat dhe mekanizmat ekzistues të stabilitetit, kjo ofron një shtresë shtesë dhe kredibile të mbrojtjes ndaj goditjeve potenciale të jashtme dhe financiare”, potencon Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili gjithashtu theksoi se ky zhvillim pasqyron avancimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit institucional të BQK-së me bankat qendrore evropiane dhe Eurosistemin.

“Mesazhi për qytetarët, bizneset dhe institucionet financiare është i qartë: sistemi financiar i Kosovës është stabil, likuid, i mirëkapitalizuar dhe i qëndrueshëm, ndërsa mekanizmat që e mbështesin dhe e mbrojnë atë po fuqizohen vazhdimisht. Objektivi ynë krahas ruajtjes së stabilitetit financiar, është edhe ndërtimi i kapaciteteve dhe masave mbrojtëse të nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë e tij edhe në skenarë të pafavorshëm”, thekson Guvernatori i BQK-së.

Mekanizmi i avancuar EUREP është një mekanizëm i përhershëm i Eurosistemit, i krijuar për t’u ofruar bankave qendrore të pranueshme jashtë zonës së euros qasje në likuiditet të përkohshëm në euro, kur kjo është e nevojshme. Mekanizmi koordinohet nga BQE-ja dhe operacionalizohet përmes pesë bankave qendrore kombëtare të Eurosistemit, përfshirë Bankën Qendrore të Gjermanisë (Deutsche Bundesbank).

Prandaj, BQK në bashkëpunim me Deutsche Bundesbank, do të vazhdojë përgatitjet e nevojshme teknike dhe operacionale për operacionalizimin e plotë të mekanizmit në ditët në vijim. Shuma e disponueshme në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përcaktohet në përputhje me nevojat e vlerësuara, kërkesat e zbatueshme dhe kolateralin e pranueshëm, brenda limit të përgjithshëm të përcaktuar nga BQE.

Ky zhvillim plotëson reformat dhe masat e vazhdueshme të BQK-së për forcimin e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes prudenciale, menaxhimit të rezervave dhe integrimit të Kosovës me infrastrukturën dhe mekanizmat financiarë evropianë.

Të ngjashme