Hasani: Të punohet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, do t’i ndihmonte katërshes së UÇK-së

Prishtinë | 19 Sht 2026 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese deklaroi se ende nuk është vonë që të thirret boshti i Bashkimit Evropian për anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas tij, kjo do të ishte ndihma më e madhe që do t’u bëhej ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët do të mund t’i drejtoheshin pastaj Gjykatës së Strasburgut.

Hasani ka deklaruar se sjellja e gjyqtarëve në Speciale, duke mos dëgjuar për askënd, po bëhet pasi s’kanë asnjë mekanizëm kontrolli.

Nëse Kosova do të bëhej pjesë e Këshillit të Evropës, atëherë ish-udhëheqësit e UÇK-së do të mund t’i drejtonin lëndët në Strasburg, duke filluar nga mbajtja e paligjshme në paraburgim për gjashtë vjet e deri te ankesat tjera.

“Unë e kam thanë dhe po e përsëris, katastrofa ma e madhe ka qenë që nuk jena pranu në Këshill të Evropës. Le të thotë kush çka të dojë, e kam thënë pikërisht me këta të Hagës, duke e ditë se mujm me ardh në këtë pozitë”, tha Hasani në T7.

Hasani shtoi se ende nuk është vonë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se një gjë e tillë do ta kalonte Serbinë në defanzivë totale.

“Unë prap mendoj se nuk është farë vonë me thirr boshtin e Bashkimit Evropian. Ata e aknë zyrën, mirëpo Gjermania ose Franca, me bisedu me ta për implementim të marrëveshjes së Ohrit dhe me bo dinamikën e shpejtë ku pranohet Kosova sa s’është Rusia në Këshill të Evropës. Me këtë, Serbia do të kalonte në defanzivë totale”, tha Hasani.

Të ngjashme