Shtetasi i Republikës së Kosovës, Bajram Bajrami, është liruar nga autoritetet kroate pas ndalimit të tij në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
Sipas njoftimit, lirimi i Bajramit ka ardhur pas angazhimit të institucioneve të Kosovës dhe bashkëpunimit me autoritetet kompetente të Kroacisë.
Bajram Bajrami ishte ndaluar në Kroaci lidhur me pretendime për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kishte ndërmarrë veprime institucionale që nga momentet e para të ndalimit. Më 14 gusht 2026, përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrit të Drejtësisë të Kroacisë, Damir Habijan, dhe autoriteteve kompetente, ajo kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit të Kosovës.
Çështja, sipas njoftimit, është adresuar edhe gjatë një bisede telefonike të Gërvallës me homologun e saj kroat, ku është theksuar qëndrimi se qytetarët e Kosovës nuk mund të mbahen në paraburgim mbi bazën e pretendimeve të tilla të Serbisë.
“Ky rast është një tjetër dëshmi se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të mbeten vetëm përballë përpjekjeve të Serbisë për t’i ndjekur dhe ndaluar përmes mekanizmave ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.
Tutje, institucionet e Kosovës kanë deklaruar se për çështjet që lidhen me veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, kompetenca u takon institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës.
“Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve të saj, për t’i mbrojtur me vendosmëri të drejtat e tyre, dinjitetin e Republikës së Kosovës dhe të vërtetën për luftën tonë të drejtë çlirimtare”, thuhet në njoftim.