Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rritur kapacitetet e saj profesionale dhe operacionale me 39 punonjës të rinj, prej të cilëve 32 janë inspektorë fillestarë dhe shtatë mbledhës të borxheve.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, u ka uruar suksese punonjësve të rinj, duke theksuar përgjegjësinë që ata kanë në ushtrimin e detyrave të tyre.
“Ju uroj suksese në detyrat tuaja të reja dhe ju përgëzoj për rezultatet e treguara gjatë këtij procesi. Mbi 2,000 kandidatë kanë konkurruar për këto pozita, ndërsa ju tashmë mbani një përgjegjësi të rëndësishme për të dëshmuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin tuaj në shërbim të tatimpaguesve dhe shtetit”, tha Hyseni.
Sipas ATK-së, punonjësit e rinj janë përzgjedhur përmes një procesi publik dhe konkurrues, në të cilin kanë marrë pjesë 1,887 kandidatë gjatë fazave të vlerësimit.
Përzgjedhja është realizuar nga një komision i jashtëm, ndërsa procesi, sipas ATK-së, është bazuar në meritë, profesionalizëm, transparencë dhe objektivitet.
Me rekrutimin e 39 punonjësve të rinj, ATK synon të forcojë kapacitetet në fushën e inspektimit tatimor dhe mbledhjes së borxheve, me qëllim të administrimit më efektiv të detyrimeve tatimore dhe ofrimit të shërbimeve më profesionale për tatimpaguesit.