Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve H.M., dhe A.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërsa, kundër të pandehurit N.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Ndërtimi pa leje”, si dhe kundër të pandehurit A.H., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.
Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me dyshimet për parregullsi gjatë mbikëqyrjes dhe realizimit të punimeve ndërtimore në një objekt në Komunën e Suharekës, për të cilin ishte lëshuar leje ndërtimore, e ku të përfshirë janë zyrtarë komunalë.
Theksohet se për objektin ishte lejuar ndërtimi me etazhitet B+P+2, ndërsa, sipas aktakuzës, objekti është realizuar me B+P+3, si dhe janë bërë tejkalime të vijave ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.
Këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.