Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat e saj për konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e Qeverisë, duke vlerësuar se ky vendim u jep përgjigje shqetësimeve të ngritura nga kjo parti për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe nevojën për funksionalizimin e institucioneve.
PDK-ja ka theksuar se që nga muaji gusht ka kërkuar përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke konsideruar se vonesat e njëpasnjëshme kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të tij dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale.
“Që nga muaji gusht, PDK ka kërkuar përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Vonesat e njëpasnjëshme kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të tij dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale në një kohë kur qytetarët presin vendime për çështjet me rëndësi për vendin”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, kriza institucionale duhet të zgjidhet përmes funksionalizimit të institucioneve.
“Në të njëjtën kohë, PDK ka kërkuar që kriza të zgjidhet përmes funksionalizimit të institucioneve. Kosova ka nevojë për një Kuvend që punon, për vendimmarrje dhe për institucione që mbajnë përgjegjësi para qytetarëve. Sipas vlerësimit të PDK-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësi që proceset institucionale të vazhdojnë pa vonesa të tjera”, thuhet më tej.
PDK ka deklaruar se Kuvendi ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, ndërsa ka renditur edhe hapat që, sipas saj, duhet të ndërmerren gjatë kësaj periudhe.
“Kuvendi i ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur Presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme e të panevojshme”, thuhet në reagim.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe që në rendin e ditës, si pikë të parë, të përfshihet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të përfshijë si pikë të parë në rendin e ditës Projektligjin për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, votimi i kësaj nisme ligjore përbën prioritet për këtë parti në raport me proceset që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Për PDK-në, votimi i kësaj nisme ligjore është prioritet kombëtar në përpjekjen për drejtësi, për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për respektimin e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, thuhet në fund të reagimit.