Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në Samitin Vjetor të Clinton Global Initiative, ku ka mbajtur fjalimin e hapjes në sesionin e dedikuar demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Osmani, përmes një postimi, ka thënë se diskutimet për këto tema janë më të rëndësishme se kurrë, në një kohë kur demokracia dhe të drejtat themelore po përballen me sfida në vende të ndryshme të botës.
“Në kuadër të Samitit Vjetor të Clinton Global Initiative, pata nderin të mbaja fjalimin e hapjes në sesionin e dedikuar demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se demokracia nuk duhet të shihet vetëm si një sistem institucionesh, por edhe si një parim që lidhet me dinjitetin, lirinë dhe të drejtën e secilit për të përcaktuar të ardhmen e tij.
“Përderisa demokracia dhe të drejtat themelore po sfidohen në shumë vende të botës, diskutime të tilla janë më të rëndësishme se kurrë. Sepse demokracia nuk është vetëm një sistem institucionesh; është besimi se çdo njeri meriton të jetojë me dinjitet, liri dhe të drejtë për ta përcaktuar të ardhmen e tij”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka thënë se mbrojtja e këtyre vlerave kërkon angazhim dhe veprim të përbashkët.
“Mbrojtja e këtyre vlerave kërkon guxim, unitet dhe veprim. Dhe mbi të gjitha, kërkon që të mos e marrim kurrë lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut si të mirëqena”, ka shkruar ish-presidentja.
Osmani ka falënderuar ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, për ftesën.
“Falënderoj ish Presidentin Bill Clinton dhe ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton për ftesën”, ka shtuar Osmani.