Policia kap 31-vjeçarin në Elbasan që po transportonte jashtëligjshëm emigrantë

Prishtinë | 04 Tet 2026 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Një 31-vjeçar është arrestuar në Elbasan, pasi dyshohet se transportonte shtetas të huaj që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar.

Operacioni është finalizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë në Elbasan, në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeta 2”.

Policia ka ndërhyrë në aksin rrugor Elbasan-Peqin, ku ka kapur shtetasin A. A., 31 vjeç, duke transportuar me një automjet shtatë shtetas të huaj nga vendet e treta.

Sipas Policisë, shtetasit e huaj dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në vijim të veprimeve procedurale, 31-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa bashkëpunëtori i tij, shtetasi M. K., 25 vjeç, në pronësi të të cilit ishte automjeti, u shpall në kërkim.

Automjeti i përdorur për transportimin e shtetasve të huaj u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë dhe kapjen e 25-vjeçarit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

Të ngjashme